Leclerc: Më në fund era është në favorin e Ferrari
Ferrari arriti dy vende të dyta fundjavën e kaluar në Austri, me Carlos Sainz në garën sprint të së shtunës dhe me Charles Leclerc në garën e së dielës. Rezultat ky që motivon mjaft skuadrën italiane, që këtë sezon nuk ka fituar ende asnjë garë. Mjaft i kënaqur duket Leclerc, që në Austri u paraqit mirë si në provat zyrtare ashtu dhe në garë.
“Do të preferoja fitoren, por edhe vendi i dytë shkon mirë. E rëndësishme është që përmirësimet që kishim sjellë këtu shkuan mirë. Mësuam shumë dhe do të përpiqemi të bëjmë një hap tjetër përpara në garën e Silverstone. Po dalim nga tuneli dhe skuadra e ndjen këtë gjë, që era më në fund po frynë në favorin tonë”, ka thënë Leclerc.
“Ne japim maksimumin në pistë, teknikët e inxhinierët në fabrikë dhe jemi të kënaqur. Do të përpiqemi që të rikthehemi te fitorja sa më shpejt, por jemi realist dhe e dimë se Red Bull është ende para nesh. Në Austri s’mund të shkonim më shumë se vendi i dytë”, ka deklaruar Leclerc, që e kryesoi garën edhe për 10 xhiro.
Gjithsesi, monogasku qëndron me këmbë në tokë: “Është shpejt për të thënë se tani jemi në forca e dytë në kampionat. McLaren këtu ishte e shpejtë, ndërsa Aston Martin e Mercedes vuajtën disi. Duhen parë edhe 2-3 gara për të parë realisht vendin tonë mes skuadrave të tjera”.