Leclerc: Prisja një Ferrari më të shpejtë
Charles Leclerc ka mbetur i zhgënjyer nga ky sezon i deritanishëm i makinës Ferrari. Si ai ashtu edhe Sebastian Vetteli nuk kanë fituar asnjë garë.
Madje edhe kur kanë qenë shumë pranë triumfit, nuk kanë mundur ta shijojnë atë. Leclerc u la në baltë nga makina Ferrari në garën e dytë sezonale, në Bahrein. Ndërsa Vettelit iu hoq fitorja në Kanada, pas penalizimit që mori nga komisarët e pistës. Po në 6 garat e tjera? Një dominim total i Mercedesit me Hamiltonin e Bottas, që kryesojnë Botërorin e Formulës 1.
“Mercedesi është shumë i shpejtë dhe nuk po arrijmë të duelojmë fort me të në çdo garë. Në fakt, kam pritur një makinë Ferrari ndryshe këtë sezon. Edhe pse jemi duke bërë një paraqitje të mirë, jo mjaftueshëm sa për të fituar në çdo garë. Shpesh jemi të detyruar t’i menaxhojmë gomat dhe kjo na humb shumë pikë në garë”, ka thënë Leclerc.