Leclerc: Sainzi po garon më mirë se unë
Ballafaqimi mes dy pilotëve të Ferrarit këtë sezon të Formula 1 është 3-0 për Carlos Sainz, që i ka fituar të gjitha duelet direkte në pistë me shokun e tij të skuadrës Charles Leclerc.
Madje spanjolli ka fituar edhe një garë, ndërkohë që mungoi në Jedah për shkak të operacionit. Leclerc këtë sezon ka zhgënjyer edhe në armën e tij të fortë, provat zyrtare, ku jepte gjithnjë kohë të shkëlqyera.
“Mendoj se është e thjeshtë. Sainz po bën një punë më të mirë”, ka thënë Leclerc në prag të garës së Kinës që zhvillohet këtë fundjavë në pistën e Shanghai. “Në Bahrein është e vështirë të bësh një krahasim, sepse kisha disa probleme me frenat. Megjithatë, në dy garat e fundit ai ka qenë më i fortë. Kështu që, tani më takon mua të punoj, veçanërisht në fazën kualifikuese, që zakonisht është një pikë e fortë”, u shpreh monogasku. “Sainz po piloton në një nivel shumë të lartë dhe mendoj se kjo është mirë për ekipin. Është e mrekullueshme edhe për mua. Unë kam punuar shumë në këtë aspekt dhe normalisht kur punoj në një aspekt, jam mjaft i sigurt se do të përmirësohem shumë shpejt. Duhet ta dëshmoj në pistë duke filluar nga kualifikimet e Kinës”, ka thënë Leclerc.