Leclerc: Shpresoj që ky të jetë viti i duhur për Ferrarin

20 shkurt 2025 | 12:00

Sezoni 2025 në Formula 1 është në prag: Së shpejti skuadrat do të kryejnë testet e vetme dimërore dhe pas gati 3 javësh, në Melburn do të zhvillohet gara e parë sezonale. Një kampionat ku te Ferrari kanë pritshmëri të mëdha, sidomos pas ardhjes së Lewis Hamilton.

Pas prezantimit të makinës në Londër dy ditë më parë, pilotët e “kokëkuqes” janë rikthyer në Maranello, ku dhe kanë testuar makinën e re, duke shfrytëzuar 100km e lejuara nga FIA për xhirime. Piloti monegask Charles Leclerc ka pritshmëri të larta nga ky sezon i ri.

“Dëshira ime për t’u bërë kampion bote është gjithmonë e njëjtë sepse e dua atë që bëj, por mbi të gjitha e dua Ferrarin dhe dua të fitoj me Ferrarin. Të fitosh titullin këtu do të ishte një gjë absolutisht e pabesueshme dhe po bëj gjithçka që mundem për ta bërë sa më shpejt që të jetë e mundur realitet”, tha Leclerc.

“Shpresoj që ky të jetë viti i duhur. Ne punuam shumë mirë, të gjithë në ekip punuam si të çmendur për të siguruar që të mbërrinim në testet e para javën e ardhshme në Bahrein sa më të gatshëm. Ndaj, pritshmëritë mbeten të larta. Do të zhgënjehesha nëse nuk fitojmë të paktën një nga dy titujt. Vitin e kaluar ne përfunduam në vendin e dytë në kampionatin e konstruktorëve dhe isha shumë i zhgënjyer. Pra, synimi do të jetë fitorja, që është gjithmonë ambicie te Ferrari. Kështu që do të isha i zhgënjyer në fund të vitit nëse nuk do të kishte dy tituj, por do të bëjmë gjithçka për ta bërë realitet këtë ëndërr”, ka shtuar Leclerc.

Në fund, piloti i “kokëkuqes” ka shtuar: “Jemi një dyshe e fortë pilotësh. Dyshja e Ferrarit është gjithmonë më e mira, por do të duhet të dëshmojmë në pistë nëse jemi edhe më të fortët. Lewis e ka treguar tashmë, duhet t’u tregoj të gjithëve se do të jem dhe po punoj shumë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Sali Bislimi Kur të shkoj në Mirditë aty ndjeje…