Leclerc: Shpresoj të vijë ‘shpërthimi’ i Ferrarit
Këtë fundjavë Formula 1 do të zhvendoset në Principatën e Monacos, ku më datën 26 maj do të zhvillohet edhe gara e gjashtë sezonale, pas 5 të parave të dominuara tërësisht nga dy makinat Mercedes, me Hamilton e Bottas që kanë këmbyer vendet e para me njëri-tjetrin.
Një fillim tejet i dobët për Ferrarin këtë sezon, sepse pas 5 garash, “kokëkuqja” nuk numëron asnjë triumf apo vend të dytë, ndërsa vetëm në dy raste, njëherë me Vettelin dhe një herë me Leclercin, ia ka dalë të ngjitet në podium. Pikërisht ky i fundit duket i frymëzuar këtë fundjavë, pasi gara do të zhvillohet në “shtëpinë” e tij, ndërsa në një intervistë të dhënë për mediet franceze ka theksuar se shpreson që në Çmimin e Madh të Monacos të vijë edhe shpërthimi i Ferrarit.
“Kemi bërë disa teste dhe ende nuk mund të themi se i jemi afruar Mercedesit, por inxhinierët tanë po punojnë shumë për të gjetur një zgjidhje. Shpresoj shumë që gara e Monacos ta sjellë edhe ‘shpërthimin’ e Ferrarit, pasi është e pabesueshme që ende nuk kemi fituar në asnjë pistë”, ka thënë Leclerc.