Ledri Vula, nënkryetar i Z Mobile Prishtina
Reperi i njohur Ledri Vula është emëruar nënkryetar i Z Mobile Prishtina.
Presidenti i klubit kryeqytetas, Blerand Stavileci, ka prezantuar Vulën në një konferencë për medie, duke thënë se kanë pasur dëshirë që sivjet t’i mbledhin afër klubit edhe njerëz të suksesshëm të njohur në fusha të tjera që lidhen me basketbollin.
“Për neve si klub që po rritemi është kënaqësi që një djalë i suksesshëm si Ledri t’i bashkohet një njëshi tjetër, siç është Z Mobile Prishtina. Nesër e kemi ndeshjen më të rëndësishme të sezonit dhe po mundohemi që në aspektin organizativ të jemi në nivelin më të lartë. Ka me qenë spektakël edhe jashtë parketit, sepse kemi forcuar ekipin”, ka thënë Stavileci.
Ndërsa Ledri Vula është shprehur i lumtur për detyrën e re, derisa ka ftuar të rinjtë që të merren më shumë me basketboll.
“Faleminderit Blerand për idenë. Prej momentit kur më ke tregu për të ardhmen, 100 për qind kam qenë për. Tash fatmirësisht po kemi salla, përpara s’kemi pas salla. Kisha pas dëshirë që rinia me gjet kohë për me ia kushtuar topit, për shëndetin është e mirë, por edhe për shtetin. Me aq sa e di kam me qenë këtu dhe me investuar në të ardhmen e basketbollit. Ëndërr e kam pasur me luajt një lojë të paktën në Ligë të Parë, por kam vazhduar me muzikë. Më ka marrë malli për erën e sallës së ‘Boro Ramizit’”, ka thënë Vula.
Ndeshja mes Z Mobile Prishtinës dhe kampionit holandez “Donar Groningen” zhvillohet nesër nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
/Epoka e re/