Legalizimi i armëve e bën Kosovën vend më të sigurt
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherësh edhe Koordinator Nacional për Armë të Vogla dhe të Lehta, Izmi Zeka, ka deklaruar se me legalizimin e armëve Republika e Kosovës do të bëhet vend më i sigurt.
Ai ka treguar se me këtë proces Kosova po e merr përgjegjësinë në nivel rajonal dhe ndërkombëtar që i takon në këtë fushë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Zeka ka kërkuar mbështetjen e krerëve të shtetit dhe të gjithë qytetarët në këtë proces.
“Kosova është një vend më i sigurt për të jetuar, përderisa më shumë armë janë nën kontroll dhe Kosova merr përgjegjësinë e saj në nivel rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e kontrollit të AVL-ve dhe kontribuon në një rajon më të sigurt”, ka thënë Zeka.
Ai ka sqaruar se legalizimi është një proces i zbatuar në vende të ndryshme në rajon. Sipas tij, ky proces çon në një reduktim të posedimit të paligjshëm të armëve.
“Keqpërdorimi i armëve dhe trafiku i tyre i paligjshëm nuk janë shqetësim vetëm për sigurinë publike në Kosovë, por edhe për rajonin, duke qenë se nxisin krimin e organizuar dhe terrorizmin, ndërkohë që siguria jonë është e lidhur ngushtë me sigurinë dhe stabilitetin e Bashkimit Evropian. Kjo është hera e parë që institucionet e Kosovës e kanë lansuar vetë këtë proces dhe deri më tash kemi parë interes të madh, por kërkohet edhe mbështetja juaj për promovimin e legalizimit të armëve, në mënyrë që përpjekjet tona të jenë vërtet të suksesshme dhe të sigurohet interesi ynë i përbashkët për një Kosovë më të sigurt”, ka thënë Zeka.
Në këtë intervistë ai ka folur edhe për procedurën e cila duhet të ndiqet nga qytetarët që dëshirojnë ta legalizojnë armën e tyre.
Zeka ka treguar se deri më tani ka mbi 500 kërkesa për legalizim të armëve. “Deri më sot janë pranuar 539 kërkesa për legalizim dhe nga këto janë dhënë 246 pëlqime.
Kërkesat e tjera janë ende në procedurë. Procesi i legalizimit është dizajnuar si i tillë që të ndikojë në uljen e këtij numri të armëve të vogla dhe të lehta”, është shprehur zëvendësministri i Punëve të Brendshme.
“Epoka e re”: Z. Zeka, të hënën u jeni drejtuar me një letër drejtuesve të shtetit sa i përket procesit të legalizimit të armëve. Cili ishte qëllimi i kësaj letre?
Zeka: Qëllimi i kësaj letre të hapur është të kërkojë mbështetje nga krerët e shtetit dhe të gjithë qytetarët e tjerë për ta bërë Kosovën një vend më të sigurt për të jetuar. Legalizimi është një proces i zbatuar në vende të ndryshme në rajon që çon në një reduktim të posedimit të paligjshëm të armëve. Keqpërdorimi i armëve dhe trafiku i tyre i paligjshëm nuk janë shqetësim vetëm për sigurinë publike në Kosovë, por edhe për rajonin, duke qenë se nxisin krimin e organizuar dhe terrorizmin, ndërkohë që siguria jonë është e lidhur ngushtë me sigurinë dhe stabilitetin e Bashkimit Evropian. Kjo është hera e parë që institucionet e Kosovës e kanë lansuar vetë këtë proces dhe deri më tash kemi parë interes të madh, por kërkohet edhe mbështetja juaj për promovimin e legalizimit të armëve në mënyrë që përpjekjet tona të jenë vërtet të suksesshme dhe të sigurohet interesi ynë i përbashkët për një Kosovë më të sigurt.
“Epoka e re”: Deri më tani sa kërkesa për legalizim të armëve ka pranuar MPB-ja?
Zeka: Deri më sot janë pranuar 539 kërkesa për legalizim dhe nga këto janë dhënë 246 pëlqime. Kërkesat e tjera janë ende në procedurë. Procesi i legalizimit është dizajnuar si i tillë që të ndikojë në uljen e këtij numri të armëve të vogla dhe të lehta.
“Epoka e re”: Cila është procedura për legalizimin e një arme?
Zeka: Në parim procedurat janë të thjeshta dhe krejt çka duhet të bëjë një qytetar i cili ka një armë dhe dëshiron ta legalizojë atë, duhet të lajmërohet te zyrtari policor në stacionin më të afërt të policisë dhe aty do t’i marrë të gjitha informatat e nevojshme në lidhje me procedurat që duhen ndjekur për ta legalizuar armën që ka në posedim. Përveç kësaj, ne si MPB do të jemi të gatshëm që të asistojmë në çdo kohë që paraqitet nevoja për ta lehtësuar këtë proces.
“Epoka e re”: A mendoni se është dashur të ketë një fushatë më të madhe nga ana e MPB-së që të ndikojë më shumë në këtë proces?
Zeka: Fushata është nisur rreth tre muaj më parë dhe Ministria e Punëve të Brendshme me partnerët e vet është duke zbatuar këtë fushatë në përputhje me fondet e disponueshme/të akorduara. Hapa të mëtejshëm për ngritjen e fushatës janë në vazhdim. Jemi të vetëdijshëm se ka ende mundësi që të përmirësohet procesi.
“Epoka e re”: Fushata për legalizim të armëve mbështetet nga misioni i UNDP-së në Kosovë në partneritet me Qeverinë gjermane dhe Zyrën për Punë të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë. Ky bashkëpunim, sa është lehtësues për MPB-në dhe cila është asistenca që japin në këtë proces këta partnerë?
Zeka: Para së gjithash, më lejoni ta falënderoj Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë për kontributin e dhënë. Dëshiroj ta falënderoj Zyrën e UNDP-së në Kosovë për këshillat teknike gjatë gjithë këtyre viteve në fushën e kontrollit të Armëve të Vogla dhe Lehta (AVL-ve) në tërësi dhe kësaj fushate në veçanti. Mbështetja e tyre ishte dhe është shumë e dobishme. UNDP-ja në vitet e fundit është angazhuar me Ministrinë në fusha si siguria e komunitetit, ekstremizmi i dhunshëm dhe kontrolli i armëve të vogla. Mbështetja e tyre dhe këshilla teknike kanë kontribuar në një strategji dhe plan veprimi të zhvilluar mirë për AVL-të. Qasja e tyre, në bazë të njerëzve, proceseve dhe teknologjisë ka çuar në shërbyes civilë, zbatues të ligjit dhe prokurorë të arsimuar mirë në këtë fushë, në procese shumë të detajuara dhe të zhvilluara mirë, si dhe në teknologjinë e nevojshme për zbatimin e proceseve të detyrueshme për zbatimin me sukses të politikave të lidhura me Armët e Vogla dhe të Lehta.
“Epoka e re”: Përfundimi i këtij procesi, çfarë mesazhi jep për Kosovën?
Zeka: Kosova është një vend më i sigurt për të jetuar përderisa më shumë armë janë nën kontroll. Po ashtu, Kosova merr përgjegjësinë e saj në nivel rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e kontrollit të Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL) dhe kontribuon në një rajon më të sigurt.
Muhamet KOCI