Legjenda e Arsenalit: Ky është klubi më i fortë në botë
Ish-mesfushori i Arsenalit dhe Francës, Robert Pires ka folur me superlativa për Bayern Munchen, duke e cilësuar si skuadrën më solide dhe njëkohësisht më të fortë në Evropë, teksa i dha një rol mjaft të rëndësishëm edhe menaxhimit që bën shoqëria e klubit “bavarez”.
“Aktualisht nuk shoh asnjë skuadër më të fortë se Bayerni në Evropë. Janë një klub shumë solid dhe kanë në përbërje emra si Neuer, Kimmich e Lewandowski, të cilët janë më të mirët në rolet e tyre. Për më tepër, kanë një menaxhim perfekt nga shoqëria, pasi futbollistët e stafi punojnë gjithmonë në qetësi, ndryshe nga PSG-ja për shembull, ku çdo javë del nga një çështje në media”, ka deklaruar francezi.
Duke folur për emra të përveçëm, Robert Pires “ngriti në qiell” kanadezin Alphonso Davies dhe u shpreh se sulmuesi polak Lewandowski do të meritonte padyshim një “Top të Artë” për atë që ka bërë në fushën e lojës.
“Më befason Alphonso Davies me shpejtësinë e tij. Po vendos gjithmonë rekorde të reja me sprintin e tij në krah dhe për më tepër, është konstant gjatë gjithë lojës. Për Levën flasin golat e tij dhe do ta meritonte padyshim një ‘Top të Artë’ për atë që ka bërë sidomos në 5 vitet e fundit”, u shpreh 47-vjeçari francez.