Legjenda e Liverpoolit: Premier Liga duhet të rikthehet

22 maj 2020 | 11:22

Legjenda e Liverpoolit, Kenny Dalglish, thotë se Premierliga duhet të tentojë ta rinisë sezonin 2019/20, përkundër që kriza e koronavirusit ia kishte rrezikuar edhe vetë atij jetën pasi që ishte infektuar.

Sezoni aktual i Premierligës ka qenë i pezulluar që nga mesi i muajit mars, mirëpo pritet të rinisë sërish në gjysmë të qershorit, pasi i është dhënë drita e gjelbër për këtë nga qeveria britanike.

Skuadrat angleze tashmë i janë kthyer seancave stërvitore në grupe të vogla këtë javë dhe po presin për një aprovim nga autoritetet për t’i lejuar edhe kontaktet mes lojtarëve gjatë këtyre seancave.

Edhe pse Bundesliga ka rinisur tashmë ndeshjet dhe La Liga e Serie A po bëhen gati për t’u kthyer në fushën e lojës gjithashtu  muajin e ardhshëm, kthimi i Premierligës këtë sezon mes krizës së koronavirusit ka ngjallur debat të madh.

Premierliga e ka konfirmuar se gjashtë teste për Covid-19 kanë dalë pozitive nga tri ekipe të ligës këtë javë. Watfordi zbuloi se tre nga ata lojtarë ishin të klubit të tyre, përfshirë këtu mbrojtësin Adrian Mariappa.

Ndërkohë, lojtarët si mbrojtësi anësor i Newcastle Unitedit, Danny Rose, dhe sulmuesi i Watfordit, Troy Deeney, e kanë ngritur zërin kundër rinisjes së kampionatit, duke thënë se po ndihen të rrezikuar. Megjithatë, Dalglish beson se klubet mund ta gjejnë një mënyrë për ta rinisur sezonin pa e rrezikuar shëndetin publik.

“Nëse vendet e tjera po tentojnë dhe po kthehen në fushën e lojës, mendoj që ne të paktën do të duhet të tentojmë”, ka thënë ish-ylli dhe ish-trajneri i Liverpoolit, për Hat-Trick Podcast. “Natyrisht, duhet ta kemi parasysh se shëndeti dhe siguria janë shumë të rëndësishme për lojtarët dhe për të gjithë ata që janë të përfshirë”.

“Duhet ta kuptoni këtë, ta shohim se çfarë do të ndodhë dhe ta shohim se si ndihemi atëherë, pastaj le të vendosim nëse duam të dorëzohemi”. Vetë Dalglish ishte infektuar me virusin Covid-19 përderisa kishte qenë në spital muajin e kaluar, mirëpo s’kishte shfaqur asnjë simptomë të virusit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti Milaim Zeka thotë se qeverisja e Albin Kurtit është…