Legjenda e NBA-s: E kam kritikuar Jordanin dhe ka 10 vjet që s’më flet
Ish-basketbollisti Charles Barkley, një nga ikonat e NBA-së, aktualisht në detyrën e opinionisit pranë TNT, ka folur për marrëdhënien e tij me Michael Jordan. Ai ka
sqaruar se përse marrëdhënia mes tyre ka përfunduar. “Michael ka qenë miku im më i mirë dhe e dua ende fort. Më shqetëson fakti që nuk jemi më miq, por më duhet të jem profesional dhe i drejtë ndaj të gjithëve. Nuk flasim prej 10 vitesh, pasi e kam kritikuar në një intervistë”, ka thënë Barkley, që ka luajtur për 16 sezone në NBA dhe është pjesë e “Hall of Fame”.
“Për të kam thënë se nuk e dija nëse do të kishte sukses si drejtues, pasi rrethohet nga njerëz dhe miq që nuk i thonë kurrë JO. Ai u çmend pasi thashë këtë deklaratë, më mori në telefon dhe më shau rëndë. Iu përgjigja duke i thënë se duhet të bëj detyrën time dhe që nga ajo ditë nuk kemi folur më kurrë”, ka shtuar Charles Barkley.