LEGJITIMITETI MORAL PËRBALLË LEGJITIMITETIT POLITIK

29 janar 2025 | 20:11

Arben Hoxha

(Kumtesë e lexuar me rastin e shënimit të 26-vjetorit të rënies së Dëshmorëve të kombit, Pren dhe Memë Lleshi, në Goden të Hasit, më 28.01.1999)

Në historinë e kombit shqiptar institucioni i familjes nuk është vetëm një fakt sociologjik i pranisë shoqërore. Është më shumë se kaq: familja është përfaqësim identitar i vullnetit për formimin e kombit shqiptar, si subjekt historik. Familjet princore arbërore: Kastriotët, Topiajt, Arianitët, Muzakajt, Balshajt etj., nuk ishin vetëm familje sundimtare, por simbol i vazhdimësisë së ekzistencës së arbërorëve. Familja e frashërllinjve janë mishërim i vizonit shpirtëror, moral, kulturor e politik të shqiptarëve si subjekt, jo pësues e konsumues të historisë, por prodhues e ndërtues të saj. Në historinë tonë më të re, familjet Jasharaj, Haradinaj dhe Lleshi nga Vraniqi i Gjakovës, me sakrificën e tyre për liri, e bënë të dukshme atë që e kishte ruajtur të pakontaminuar koraca e shpirtit shqiptar: vullnetin për liri dhe përmasën e dinjitetit njerëzor. Familjet princore arbërore, me fuqinë e legjitimitetit të tyre të trashëguar, e kishin të drejtën dhe forcën për të mobilizuar pjesëtarët e principatave të tyre për mbrojtje nga armiqtë e tyre. Familja Jashari, Haradinaj dhe Lleshi nuk e kishin privilegjin e familjeve princore arbërore; ato nuk e kishin as legjitimitetin e trashëguar e as legjitimitetin e krijuar përmes “votës së lirë e demokratike” nën pushtimin e egër serb. Ato e krijuan legjitimitetin e tyre moral përmes etikës së virtytit të vetëflijimit.
Liria dhe sakrifica janë binom i pandarë. Sakrifica është përmbajtja dhe kushti i shfaqjes së lirisë; bartësja dhe konservuesja e vlerës së saj. Perëndia provën e vet të dashurisë dhe mirësisë që ka ndaj njerëzimit, me qëllim që ta çlirojë nga mëkati fillestar i trashëguar nga Adami, e dha duke sakrifikuar pjesën më vitale nga trinia e qenies së vet: Jezu Krishtin. Flijimi i Jezu Krishtit është vullneti Hyjnor për vetëtejkalim nga imanenca në transcendencë, me qëllim që qenia njerëzore të ngrihet në një stad më të lartë moral. Vetëtejkalimi, si akt i bërjes, kalon përmes sakrificës. Përballja me vdekjen është vërtetësia dhe kushti i vetëtejkalimit. Gatishmëria për t’u përballur me vdekjen është absolutja e vullnetit të të mëdhenjve. Për të mëdhenjtë ajo është detyrë dhe përgjegjësi për kthimin e të pamundurës në të mundurën; prandaj e zakonshme; për të vegjlit ajo është e jashtëzakonshme, sepse është jashtë domenit të vullnetit të përgjegjësisë dhe detyrës që iu imponon përditshmëria e tyre e zakonshme.
Sot, në lokalin “Dasmori”, jemi tubuar jo për të përkujtuar, por për t’u përulur para “dasmorëve” të lirisë: dëshmorëve të kombit Pren e Memë Lleshi dhe sakrificës së gjithë familjes së Markalleshëve të Vraniqit të Gjakovës. Familja Lleshi, ashtu si ajo e Jasharajve dhe Haredinajve, me vullnetin e tyre për t’u përballur me vdekjen përmes vetëtflijimit, krijuan kushtet që populli shqiptar të ngrihet nga gjendja e skllavërisë në gjendjen e lirisë.
Në luftën e UÇK-së janë dy momente të rëndësishme që i japin karakter emblematik luftës së familjes Lleshi kundër forcave serbe: rezistenca e armatosur e 7 gushit të 1998-ës e tërë familjes Lleshi (burra e gra), dhe angazhimi i vëllezërve Lleshi në logjistikë për furnizim me armë e municione pas ofensivës së dytë të madhe të forcave serbe në Zonën Operative të Dukagjinit.
Ishin vëllezërit Lleshi, të cilët, që në kushtrimin e parë për luftë kundër forcave serbe, u angazhuan në logjistikë për armatosjen e fshatrave të Dushkajës. Brutaliteti i egër i forcave serbe gjatë pranverës dhe fillimit të verës së 1998-ës fshatrave të Dushkajës, bëri që popullata e kësaj ane të humbë besimin në luftë. Për rrjedhojë do të ndodhë edhe procesi i demobilizimit e i dorëzimit të armëve, të atyre armëve, të cilat me mund e sakrifica të madha i kishin siguruar vëllezërit Lleshi. Në këtë proces demobilizimi, u dekonspirua edhe aktiviteti i familjes Lleshi. Për pasojë, më 7 gusht 1998, ndodh rrethimi i familjes Lleshi nga forcat serbe, rrethim i cili përbën një variant të rrethimit të Familjes Jashari dhe asaj Haradinaj. Një familje e vetëm, pa mbështetje nga askush, në pikën më të ulët të moralit të popullatës për luftë, kishte dy zgjidhje: dorëzimin e armëve (si të tjerët) ose rezistencën e armatosur deri në flijim. Familja Lleshi, me gra e burra, vendosën për të pamundurën, sepse e pamundura ishte vendndodhja dhe kuptimi i ekzistencës së tyre: vendosën për rezistencë. Qëndrueshmëria në guxim është vërtetësia morale e besimit në liri. Me rezistencën e tyre, Familja Lleshi dëshmoi se besimi i saj nuk ishte aksidental, por substanca e ekzistencës së tyre.
Momentin i dytë që manifeston forcën e vullnetin për liri të familjes Lleshi e shënjon situata pas ofensivës së dytë në ZOP të Dukagjinit. Pas dezertimit masiv, kur në Zonën Operative të Dukagjinit kishin mbetur më pak se 50 luftëtarë të komanduar nga Ramush Haradinaj dhe lëvizjet për Shqipëri ishin të pamundura; kur shanzherët e armëve të ushtarëve UÇK-së ishin të boshatisur, ishin vëllezërit Lleshi ata që ia dolën të çajnë rrethimi, jo rrethimin fizik, por rrethimin nga e pamundura për të siguruar municione e armatime për ushtarët, por edhe për t’i bartur të plagosurit drejt Shqipërisë për shërim.
Sakrifica e familjes Jashari shënjon ndërprerjen e paradigmës etike “çfarë duhet të bëhemi” dhe fillimin e jetësimit të paradigmës “çfarë duhet të bëjmë”. Paradigma e parë përfaqëson etikën e legjitimiteti politik, e cila bazohet në kriterin e vërtetësisë procedurale; paradigma e dytë përfaqëson etikën e legjitimitetin moral, e cila bazohet në kriterin e justifikimit moral të gatishmërisë për vetëflijimi. Sakrifica e Jasharajve përbën aktin e ndërprerjes së zinxhirit shkakor të racionalitetit të paradigmës “çfarë duhet të bëhemi”. Rezistenca e Haradinajve më 24 mars 1998 dhe rezistenca e familjes Lleshi nga Vraniqi i Gjakovës më 7 gusht 1998 janë vazhdimësia e ndërprerjes së rezistencës paqësore që do të sjellë akti i flijimit të Jasharajve. Rënia e Familjes Jashari është ngjarja në kohë jashtë rrjedhjes së zakonshme të kohës.
Më 7 gusht 1998, Familja Lleshi dëshmoi se kalimi nga gjendja e robërisë në gjendjen e lirisë e të dinjitetit njerëzor është i mundur vetëm përmes ndërlidhjes së etikës deontologjike të përgjegjësisë ndaj detyrës që i shtronte historia popullit shqiptar dhe etikës së virtytit për të sakrifikuar jetën në përgjigje të thirrjes për përmbushjen e asaj detyre.
Ngërçi dhe errësimi i vetëdijes politike shqiptare sot është pasojë e luftës për supremaci të legjitimitetit politik kundrejt legjitimitetit moral. Lufta e UÇK-së, ashtu sikur dje, edhe sot nuk rresht së trajtuari, jo si ngjarje, por si një hallkë brenda zinxhirit të kauzalitetit të racionaliteti të paradigmës “çfarë duhet të bëhemi”. Brenda hallkave të këtyre zinxhirëve, në mos e paqenë, ajo pretendohet të bëhet krejt e zakonshme. Ajo trajtohet herë si vazhdimësi organike e herë si aspekt komplementar i rezistencës paqësore për liri. Lufta e UÇK-së nuk është as vazhdimësia e as komplementarja e rezistencës paqësore. Legjitimisti politik, Ibrahim Rugova, ashtu siç do të deklarojë vetë në Hagë, për ta ruajtur veten dhe familjen – i dorëzuar – nga Millosheviqi do të kërkojë largimin e tij nga Kosova. Adem Jashari duke refuzuar dorëzimin do të flijohet bashkë me 59 anëtarët e familjes së tij. Nuk mund të jenë komplementare dy logjika përjashtuese përballë rrezikut të vdekjes: njëra që bazohet në parimin moral të ruajtjes së jetës edhe me kushtin e nënshtrimit e poshtërimit dhe tjetra që bazohet në parimin e mohimit të jetës në emër të mbrojtjes së vlerës së dinjitetit njerëzor e kombëtar. Lufta e UÇK-së është shpërthim më efektiv i risisë së paparashikueshme e të pakontrollueshme kundrejt rezistencës paqësore. Ajo është treguesi kufitar i ndërprerjes së idesë së lirisë dhe lëvizësi i zhvillimit të saj.
Legjitimiteti moral që del nga sakrifica përballë dhe në vdekje, në raport me lirinë, e pamundëson gjasën e gabueshmërisë; legjitimiteti politik përmes votës, përherë është nën rrjetin e gjasave të gabueshmërisë. Për luftëtarin e lirisë gjasa është thellësisht e rrënjosur në aktualitetin e marrëdhënies morale të ekzistencës së tij me lirinë. Vetëm ashtu sakrifica bëhet detyrë e zakonshme për të. Për legjitimistët politikë, gjasa është vetëm një abstraksion matematikor në marrëdhënie me fuqinë e pushtetit politik në të ardhmen. Legjitimiteti moral, i dalë nga sakrifica, nuk mund të jetë aspekt komplementar i legjitimitetit politik e as vazhdimësi e tij. Legjitimiteti politik është singular; legjitimiteti moral është universal. Legjitimiteti politik është i përkohshëm; legjitimiteti moral është i tejkohshëm. Dëshmorët e lirisë janë të gjithëkohshëm. Të tillë janë dëshmorët Pren e Memë Lleshi.

Lavdi e përjetshme Mark, Kolë, Pren e Memë Lleshit!
Lavdi sakrificës së Familjes Markalleshi!
Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nga…