Lehtë është të ikësh, sfidë të ballafaqohesh

27 mars 2020 | 08:18

Deputetja nga LDK-ja, Valentina Bunjaku Rexhepi, ka bërë me dije se e ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë sepse ajo deshi të vetërrëzohej.

“Iku nga përgjegjësia sepse deshi të mbetej lider i pagabueshëm. Lehtë është të ikësh, por sfidë është të ballafaqohesh”, ka shkruar Bunjaku-Rexhepi.

Komenti i saj në “Facebook”:

Në kohë të vështirë e të mirë, gjithmonë me LDK-në. Unë kam votuar mocionin e mosbesimit sepse, thjesht, nga vetë emërtimi: kishim mosbesim. Partneritetin e ruan besimi dhe respekti i ndërsjellë, madje më shumë se dashuria plot pasion. Ne nuk e rrëzuam qeverinë, por u vetërrëzua. Iku nga përgjegjësia sepse deshi të mbetej lider i pagabueshëm. Lehtë është të ikësh, por sfidë është të ballafaqohesh. Megjithatë, ka shpresë, sepse përgjatë udhës e kemi aleatin më të mirë në histori: ShBA-në.

Ju mund të më linçoni dhe mund të më akuzoni, por do të kuptohet më vonë, pas daljes nga populizmi dhe propaganda aktive në mediat sociale. E frikshme qasja e ish-partnerit me etiketime, njollosje dhe pushtime sms-ësh, duke thyer edhe të dhënat personale.

Unë si deputete e ruaj shtëpinë time, LDK-në, sepse jam rritur me të. Unë ku ha bukë jam mirënjohëse përjetësisht. E mbroj dinjitetin, frymën, identitetin e LDK-së.

Kur cenohet filozofia e saj e partneritetit, e bashkëpunimit e respektit, unë rezistoj me votën e lirë. Prandaj, e çova dorën, sepse besova ashtu se ishte e drejtë, dhe ndihem mirë që hyra në radhën e atyre që mbrojnë shtëpinë e vet, LDK-në. Lehtë është ta ndjekësh populizmin, por me sfida ta zgjedhësh rrugën e përballjes. LDK-ja e ruan traditën e ruajtjes së partneritetit me SHBA-në, sepse beson në të. Besimi në ShBA-në e bëri mosbesimin ndaj qeverisë Kurti.

Besimi mbi Amerikën ishte vota ime. Besimi im në LDK-në për këtë kurrë nuk lëkundet. Dhe kështu do ta mbrojmë interesin strategjik të Kosovës. E tashmja na duket sfiduese, por e ardhmja e ndritur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Driton Selmanaj i LDK-së ka thënë se rrëzimi i qeverisë…