Lehtësimi për konvertim të patentë shoferëve, ShBA mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës
Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se Washingtoni zyrtar mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të lehtësuar dhënien e patentë shoferëve kosovarët për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Hovenier ka thënë se ShBA përkrah përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancimin e vizionit të përbashkët për një Kosovë gjithëpërfshirëse dhe multi-etnike.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e qeverisë së Kosovës për të lehtësuar dhënien e patentë shoferëve kosovarë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne mbështesim përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancojnë vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë gjithëpërfshirëse, multietnike”, ka shkruar Hovenier.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që mundëson konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga institucionet ilegale serbe në Kosovë në patentë shoferë të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
“Procesi është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë, duke nxitur kohezionin në jetën e përditshme”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.