Lejohet qarkullimi i veturave vetëm me policë të sigurimit
Qarkullimi i veturave në këtë kohë lejohet vetëm nëse e kanë sigurimin e paguar. Pra në këtë kohë pandemie nuk ka nevojë për regjistrim të tyre, por duhet vetëm polica e sigurimit, kjo pasi MPB-ja me një vendim ka bërë lehtësime për qytetarët që lëvizin gjatë kësaj periudhe.
Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka thënë se ajo që është e domosdoshme sot për të mundësuar qarkullimin në trafik me automjet është vetëm polica e sigurimit, pasi edhe deklarata e ish-ministrit të MPB-së që policia të ketë mirëkuptim ndaj qytetarëve që në këtë kohë pandemie dalin pa regjistrim, mirëpo jo edhe për ata qytetarë që dalin pa sigurim.
“Gjatë kësaj kohë qëndrimi në shtëpi është i nevojshëm mirëpo po vërehet që ka fluks të madh të veturave në trafik. Procedura të regjistrimit të automjeteve në këtë kohë pandemie nuk mund të bëhet për shkak se qendrat e regjistrimit janë mbyllë me një vendim nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo çfarë kemi bërë ne si shoqatë është se kemi kërkuar nga ministria që të pezullojë një nen të udhëzimit përkatës administrativ, që i bie që të gjithë ata qytetarë që sigurohen gjatë kësaj kohe, në momentin që fillojnë punën qendrat e regjistrimit nuk e kanë të nevojshme që policën e sigurimit ta ndërrojnë me një të re, por mund ta përdorin të njëjtën për procedurat e regjistrimit”.
“Pra vetëm një policë e sigurimit duhet dhe procedurat tjerat të regjistrimit do të kryhen pasi të përfundojë kjo situatë”, ka thënë Mazreku për “T7”.
Mazreku ka thënë se kompanitë e sigurimeve respektojnë orarin sa i përket lëvizjes së lirë dhe sipas rekomandimeve të IKSHhPK-së “zyrat e kompanive të sigurimeve janë përshtatë me këtë orarin e ri pas datës 27 mars, janë duke punuar nga ora 09:00 deri në orën 15:00 çdo herë sipas rekomandimeve të IKSHPK-së”.