Lekaj: AACK-u duhet të avancojë në ofrimin e shërbimeve
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka vizituar të mërkurën Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës (AACK), me ç’rast është takuar me drejtorin e përgjithshëm të AACK-së, Driton Gjonbalaj dhe stafin e AACK-së, me të cilët ka biseduar për të arriturat e kësaj agjencie, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe AACK-së.
Ministri Lekaj ka thënë se AACK-ja duhet të avancojë në ofrimin e shërbimeve dhe marrjen e përgjegjësive shtesë që i takojnë në fushën e aviacionit civil, si dhe në avancimin e resurseve profesionale, në mënyrë që edhe aty ku ka sfida, të tejkalohen me profesionalizëm dhe në shërbim të qytetarëve.
Lekaj ka treguar gatishmërinë e ministrisë që drejton, për përkrahje të parezervë kurdo që është e nevojshme dhe kurdo që kërkohet një gjë e tillë.
Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i AACK-së, Driton Gjonbalaj, duke e falënderuar ministrin Lekaj për gatishmërinë e treguar për bashkëpunim të hapur dhe në funksion të harmonizimit të veprimeve mes dy autoriteteve, ka shprehur gatishmërinë e institucionit që drejton, për thellim të bashkëpunimit dhe veprimeve për anëtarësim të AACK-së në organizatat ndërkombëtare të aviacionit civil, si ai i ICAO-s, duke kërkuar edhe përkrahjen e ministrit Lekaj.
Drejtori Gjonbalaj me anë të një prezantimi e ka njoftuar ministrin Lekaj dhe bashkëpunëtorët e tij, rreth detyrave dhe përgjegjësive të agjencisë, e po ashtu edhe rreth objektivave që synohen të arrihen.
Gjonbalaj e ka njoftuar Lekajn edhe për marrëveshjet e arritura mes tyre dhe agjencive simotra, si dhe për marrëveshjet që synohen të arrihen në të ardhmen, e që kanë ndikim pozitiv për vendin dhe qytetarët e Kosovës.
Në këtë takim u bisedua edhe për normalizimin e hapësirës ajrore, si një proces ku ka ndërhyrje politike nga fqinji ynë verior, por u tha se ky proces nuk do të ndalet deri në normalizimin e plotë të hapësirës ajrore të Kosovës, sepse ka rëndësi për shtetin dhe qytetarët e vendit, si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë ekonomik.