Lekaj: Autostrada e Dukagjinit nuk ka qenë premtim elektoral
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka thënë se Autostrada e Dukagjinit nuk ka qenë vetëm premtim elektoral i Qeverisë Haradinaj, por ajo do të ndodhë pavarësisht ndryshimeve në qeveri.
“Projekti i Autostradës së Dukagjinit nuk qenë vetëm premtim elektoral i Qeverisë Haradinaj. Ky projekt edhe sot faqebardhë ju them se do të ndodhë. Ky projekt është gjigand në të mirë nacionale dhe ndërshtetërore dhe normalisht që drejtpërdrejt ndikon në jetën e 650 mijë qytetarëve të asaj zone të Kosovës”, ka deklaruar Lekaj.
Ministri Lekaj më tutje ka shtuar se projeksioni dhe obligimet nga ministrore dhe qeveritare janë kryer si dhe ka treguar për shumën e zotuar dhe planifikuar të fazës së parë.
“Janë 70 milionë euro të planifikuara për vitin e ardhshëm për Autosradën e Dukagjinit. Nga ana ministrore dhe qeveritare çështja ka hyrë në binar. Gjithëçka ka ndodhur me miratimin e legjislaturës së gjashtë, tani i mbetet Kuvendit të ri të vazhdojë me procedim të mëtejmë. Ajo që u siguroi edhe njëherë, autostrada e dukagjinit do të ndodhë, pavarësisht ndryshimeve të pas 6 Tetorit”, ka thënë Lekaj për “radio1”.