Lekaj e Abdullah Al-Shoaibi flasin për projektin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është takuar të martën me përfaqësuesit e Fondit për Zhvillim të Arabisë Saudite, i kryesuar nga Abdullah Al-Shoaibi.
Gjatë këtij takimi është biseduar për projektin i cili financohet nga ana e këtij fondi, për zgjerimin e rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, si dhe për projektet e tjera që priten të realizohen nga Ministria e Infrastrukturës.
Ministri Lekaj e ka informuar delegacionin e Arabisë Saudite me progresin e arritur deri tash në projektin për zgjerimin e rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, duke i njoftuar ata se tashmë janë në përfundim procedurat e tenederimit dhe se punimet në përfundimin e këtij projekti pritet të fillojnë shumë shpejt.
Ministri Lekaj dhe Al-Shoaibi u pajtuan që ky projekt të jetë vetëm fillimi i bashkëpunimit.
Fondi për Zhvillim të Arabisë Saudite ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim edhe në projekte tjera, kurse nga ana e tij ministri Lekaj u ka premtuar atyre se do të ketë profesionalizëm, korrektësi, respektim afatesh dhe transparencë sikurse deri më tash edhe në projektet e ardhshme ku mund të ketë bashkëpunim.
Lekaj i ka informuar mysafirët edhe për projektet e mëdha që pritet të realizohen, ai i autostradës së Dukagjinit dhe autostradës Prishtinë-Merdare.
Al-Shoaibi duke e falënderuar ministrin Lekaj për mbështetjen dhe korrektësinë, ka thënë se janë të gatshëm që ta ndihmojnë Kosovën në të gjitha ato projekte që janë në të mirë të banorëve të Kosovës.