Lekaj ironizon me Mustafën dhe LDK-në: Nëse ju duhet ndonjë karrige na thoni
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i është kundërpërgjigjur kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se Lekaj e ka gjetur të merret me opozitën në kohën kur 20 zyrtarë të ministrisë që drejton janë duke u gjykuar për korrupsion.
Lekaj në llogarinë e vet në “Facebook” se prioritet i Qeverisë Haradinaj nuk është Isa Mustafa, por rregullimi i gjërave të lëna keq nga klika e tij.
Madje, Lekaj ka ironizuar me Mustafën, duke i thënë se nëse ka nevojë për ndonjë karrige të i lajmohen. Ironizomi i Lekajt me karrige ka të bëjë me rrahjet që kanë ndodhur gjatë procesit zgjedhor në LDK.
Postimi i plotë i Lekajt:
Prioritet i yni nuk është Isa Mustafa, janë rregullimi i gjërave të lëna keq nga klika e tij.
Nga viti 2017 kur ne erdhëm në pushtet, deri sot kur Isa Mustafa kritikon një sektor që tashmë ka filluar të digjitalizohet, ka rënie të aksidenteve me fatalitet për rreth 25 për qind.
Askush nuk është mbi ligjin, prandaj nëse ka veprime korruptive në cilindo sektor, drejtësia të ndërmarrë veprimet e saj. Ne as më të voglin veprim nuk e bëjmë, sikur dikur nga segmente të ish-qeverisë, për t’i ndalë punën drejtësisë në zbardhjen e secilës thashetheme.
Shoku ish-kryeministër, me poshtë po të shfaq statistikat policore dhe tonat, për sa i përket aksidenteve me pasoja fatale, gjithsesi një jetë e humbur është shumë, por ne asnjëherë nuk ndalemi në kryerjen e detyrave tona, që e bëjnë trafikun rrugor më të sigurt.
Ju vazhdoni e vajtoni, sepse është e vetmja gjë që e bëni mirë dhe nëse ju duhet ndonjë karrige na thoni.
Aksidentet e përgjithshme kemi zbritje për rreth 10 për qind;
Aksidentet me lëndime kemi ngritje për -15.33 për qind;
Aksidente me dëme materiale në zbritje për 5 për qind;
Aksidentet me fatalitet janë në zbritje për – 25.71 për qind.
/Epoka e re/