Lekaj kritikon Gjykatën Speciale: Aktakuza e re ndaj Thaçit mund të thellojë ndarjet politike dhe shoqërore në Kosovë

07 dhjetor 2024 | 10:05

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kritikuar Gjykatën Speciale pasi kjo e fundit ka ngritur një aktakuzë të re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.

Ai ka bërë me dije se ngritja e aktakuzës për pengim të drejtësisë ngre pyetje serioze rreth qëllimeve të Gjykatës Speciale.

Në profilin e tij në “Facebook”, Lekaj ka shkruar se Specialja po vazhdon të ngjallë dyshime rreth standardeve të dyfishta që përdor dhe ndikimit politik që mund të ketë mbi proceset ligjore.

“Ngritja e aktakuzës së re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë është një zhvillim që ngre pyetje serioze rreth qëllimeve dhe metodologjisë së Gjykatës Speciale. Ky institucion, që fillimisht u prezantua si garantues i drejtësisë për pretendimet ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po vazhdon të ngjallë dyshime rreth standardeve të dyfishta që përdor dhe ndikimit politik që mund të ketë mbi proceset ligjore. Në vend që të kontribuojë në qartësimin e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë, Gjykata duket sikur po fokusohet në ndjekjen e liderëve të luftës, duke injoruar kontekstin historik dhe sfidat ekzistenciale të Kosovës gjatë luftës për çlirim. Akuzat për “pengim të drejtësisë” ngjajnë më shumë si përpjekje për të ndëshkuar individë të caktuar sesa për të adresuar çështje reale ligjore”, ka shkruar Lekaj.

Ai ka paralajmëruar se ky zhvillim mund të thellojë ndarjet politike dhe shoqërore në Kosovë.

“Për më tepër, ky zhvillim mund të thellojë ndarjet politike dhe shoqërore në Kosovë, në një kohë kur vendi ka nevojë për unitet dhe përqendrim te reformat demokratike dhe integrimi euroatlantik. Drejtësia nuk mund të përdoret si instrument për të delegjitimuar luftën e drejtë të një populli për liri dhe pavarësi. Ne kërkojmë nga institucionet ndërkombëtare që të garantojnë një proces të drejtë dhe transparent, të mbështetur në prova të pakundërshtueshme dhe larg ndikimeve politike. Lufta jonë për liri nuk mund të zbehet nga sulmet që kanë për qëllim të deformojnë historinë tonë dhe të dëmtojnë udhëheqësit tanë që kanë mbrojtur dinjitetin kombëtar”, ka shkruar Lekaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së do të organizojnë…