Lekaj: Ligji për Specialen duhet të shfuqizohet
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, i cili është edhe ministër i Infrastrukturës, e ka vlerësuar të drejtë iniciativën e deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Ai ka thënë se Ligji për Specialen duhet të shfuqizohet sepse është i padrejtë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Lekaj ka deklaruar se, pas shfuqizimit të këtij ligji, Kosova duhet ta formojë një gjykatë e cila duhet të merret me rastet e supozuara.
“Unë dua të shfuqizohet ai ligj, por institucionet e Kosovës duhet ta krijojnë një gjykatë të tillë në Kosovë, e cila duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Në këtë mënyrë i tregojmë botës se veprimet e supozuara të individëve të caktuar do të gjykohen në Republikën e Kosovës nga gjykata e Kosovës”, ka thënë Lekaj. Ai ka theksuar se deputetët kanë të drejtë të nisin çfarëdo iniciative e cila i plotëson kriteret ligjore.
Sipas Lekajt, çdo iniciativë që është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës duhet të përkrahet. Ai ka bërë me dije se zyrtarët e PAN-it janë takuar me zyrtarët e LV-së për të diskutuar rreth kësaj çështje. Lekaj ka treguar se LV-ja pa kushtëzime e përkrah shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
“Së bashku me shefin e grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufin, shefin e grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifin dhe shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Memi Krasniqin, jemi takuar me shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcën. Kemi biseduar për këtë çështje, por nuk kemi marrë ndonjë qëndrim të caktuar”, ka thënë Lekaj.
Ndër të tjera, Lekaj ka deklaruar se e kupton shqetësimin e ndërkombëtarëve për këtë çështje, por jo edhe atë të LDK-së. Sipas tij, LDK-ja këtë kundërshtim po e bën vetëm për të përfituar politikisht e jo për interesa të Kosovës. “Nuk do të ketë asnjë ftohje raportesh në mes të Kosovës dhe aleatëve të saj, sepse në jemi të vetëdijshëm për situatën që kalojmë dhe për ndihmën që na kanë dhënë ShBA-ja dhe BE-ja”, ka thënë Lekaj.
“Epoka e re”: Z. Lekaj, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës. Cili është qëndrimi juaj rreth këtij verdikti të kësaj gjykate, meqenëse edhe ju jeni të akuzuar për vepër të njëjtë?
Lekaj: Vendimi i gjykatës për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje mendoj se është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, sepse ata e kanë dhënë betimin për ta mbrojtur territorin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Prandaj ata me atë veprim nuk kanë bërë diçka për veten e tyre, por që veprimet e tyre kanë qenë për të mirën e vendit. Këtë e ka vërtetuar edhe Gjykata Kushtetuese me vendimin për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Po ashtu, edhe komisioni i ri për demarkacionin, i formuar nga qeveria, ka sjellë fakte të reja që tregojnë se marrëveshja për demarkacionin është gabim. Prandaj, nëse nisemi nga këto fakte, mendoj se pa të drejtë është marrë një verdikt i tillë nga gjykata për t’i dënuar deputetët.
“Epoka e re”: Tashmë është iniciuar për miratim një Projektligj për Amnisti për deputetët që akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend. E përkrah AAK-ja këtë ide?
Lekaj: Mendoj se vetëm ka filluar procedura për hartimin e Projektligjit për amnisti të këtyre deputetëve dhe, si të tillë, e konsideroj të drejtë. Jo pse unë jam i akuzuar për këtë çështje, por mendoj se veprimi i deputetëve në atë kohë ka qenë për ta mbrojtur interesin e Kosovës. Ne kemi bërë veprimin më të mirë të mundshëm për ta mbrojtur territorin e vendit dhe për ta mbrojtur Kushtetutën e vendit. Kjo procedurë e ndjekur nga deputetët për amnisti është e drejtë.
“Epoka e re”: Kur mund ta presim miratimin e këtij projektligji?
Lekaj: Shpresoj se do të ndodhë gjatë këtij muaj.
“Epoka e re”: Sërish po diskutohet çështja e iniciativës së disa deputetëve për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. AAK-ja është pro kësaj iniciative?
Lekaj: Ju e dini se deputetët e AAK-së e kanë kundërshtuar fuqishëm formimin e Gjykatës Speciale, sepse është në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njeriut. Siç dihet, kjo gjykatë do t’i gjykojë vetëm shqiptarët e jo krimet e serbëve gjatë luftës në Kosovë. Kjo mendoj se i bën dëm Kosovës. Prandaj, edhe nisma e deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Specialen është një proces demokratik që duhet vlerësuar. Nuk e kuptoj gjithë këtë zhurmë që është bërë për këtë iniciativë. Kuvendi i Kosovës si institucion që ka nxjerrë një ligj ka të drejtë ta abrogojë atë. Në këtë drejtim mendoj se është e padrejtë gjithë kjo zhurmë që është bërë. Ne jemi shtet demokratik, deputetët janë autonomë në veprimet e tyre dhe ata kanë të drejtë të iniciojnë çfarëdo çështje e cila bazohet në Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe Kushtetutës së vendit. Kështu që, çdo iniciativë që i përmbush kriteret ligjore, mendoj se ne duhet ta përkrahim.
“Epoka e re”: Pra, sipas jush, Ligji për Specialin duhet të shfuqizohet?
Lekaj: Unë dua të shfuqizohet ai ligj, por institucionet e Kosovës duhet ta krijojnë një gjykatë të tillë në Kosovë, e cila duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Në këtë mënyrë i tregojmë botës se veprimet e supozuara të individëve të caktuar do të gjykohen në Republikën e Kosovës nga gjykata e Kosovës.
“Epoka e re”: Është folur për takime të zyrtarëve të koalicionit qeverisës me përfaqësues të LV-së për këtë çështje. Ka ndodhur një takim i tillë?
Lekaj: E dini se Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar formimin e Gjykatës Speciale dhe mendoj se ata kanë të njëjtat pozicione. Kështu që, ata janë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pavarësisht a jemi takuar ne apo jo.
“Epoka e re”: Ju personalisht me kë prej zyrtarëve të LV-së jeni takuar për ta diskutuar këtë çështje?
Lekaj: Unë së bashku me shefin e grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufin, shefin e grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifin dhe shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Memi Krasniqin, jemi takuar me shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcën. Kemi biseduar për këtë çështje, por nuk kemi marrë ndonjë qëndrim të caktuar.
“Epoka e re”: Ka pasur ndonjë kushtëzim nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për ta përkrahur këtë iniciativë?
Lekaj: Parimisht e ka përkrahur këtë iniciativë pa ndonjë kushtëzim dhe pa ndonjë kërkesë të veçantë.
“Epoka e re”: LDK-ja po e kundërshton fuqishëm këtë iniciativë. Pse?
Lekaj: Ajo çfarë më ka bërë përshtypje të madhe për këtë çështje është kundërshtimi i LDK-së dhe deklaratat e saj, qe për mua janë të pakuptimta. Ajo po sillet sikur nuk është duke jetuar në Kosovë. Nuk e kuptoj ngutin e saj për ta kundërshtuar këtë iniciativë, duke proklamuar se ajo është shpëtimtare e Kosovës. Mendoj se më së shumti këtë kundërshtim po e bën për përfitime politike e jo për interesa të vendit qysh po proklamohet. Ne jemi të vetëdijshëm se ata që kanë sakrifikuar në luftë janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe në paqe, dhe janë seriozisht të interesuar që raportet speciale që kemi me ShBA-në dhe BE-në të vazhdojnë. Nuk do të ketë asnjë ftohje raportesh në mes të Kosovës dhe aleatëve të saj, sepse jemi të vetëdijshëm për situatën që kalojmë dhe për ndihmën që na kanë dhënë ShBA-ja dhe BE-ja.
“Epoka e re”: Mirëpo iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Specialen është kundërshtuar fuqishëm nga ShBA-ja, BE-ja dhe partneret e tjerë të Kosovës.
Lekaj: Ata edhe mund të jenë të shqetësuar, mirëpo derisa ky është një proces demokratik dhe nuk është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës, atëherë nuk di pse shqetësohen ata.
Muhamet KOCI