Lekaj: Në AAK e kisha dashtë Hashim Thaçin, Mefail Bajqinovci nuk i duhet Kuvendit
Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka dhënë një intervistë interesante mbrëmë në emisionin “Dueli Sportiv”, në “RTV Dukagjini”.
Ndonëse ishte në emision sportiv, ai nuk ka hezituar të flasë edhe për politikë.
Në një intervistë të shkurtër brenda këtij emisioni, ai ka shprehur dëshirat e tij se kënd prej zyrtarëve të opozitës do ta donte në AAK.
Lekaj ka thënë se koleg partiak do të dëshironte ta ketë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjithashtu, ai ka përmendur edhe dy deputetë të LDK-së.
“Kujtim Shalën kisha dashtë me pasë në parti dhe Arben Gashin. Nga PDK-ja e kisha dashtë Hashim Thaçin”, ka thënë Lekaj.
Deputeti i AAK-së ka treguar edhe deputetin që nuk i duhet fare Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, ai është Mefail Bajqinovci i LV-së.
“Prej këtyre që nuk mund ta jep atë më të mirën të mundshme janë disa të LV-së dhe Mefail Bajçinovci mendoj se nuk i nevojitet Kuvendit të Kosovës”, është shprehur Lekaj, duke përmendur edhe deputetët punëtor të partisë në pushtet.
“Janë disa kolegë që janë të mirë të LV-së. Për shembull Armend Muja, që pa marrë parasysh që është tamam fanatik i LV-së, por e tregon se i duhet Parlamentit të Kosovës”, ka thënë Lekaj.
Ndër të tjera, Lekaj ka treguar edhe preferencat për koalicion.
“Mendoj që PDK-ja është më e guximshme, më qëndrueshme dhe më e fjalës”, është shprehur ai.