Lekaj në Strasburg: Nuk është fer që Kosova dhe Serbia ‘të futen në një thes’ në lidhje me qasjen në dialog

10 mars 2022 | 10:39

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, po merr pjesë në takimet zyrtare në Strasburg në kuadër të bashkëpuninit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Lekaj në fjalimin e tij ka theksuar se nuk ka pothuajse asnjë vend në Evropë, madje as në vendet anëtare, ku besimi dhe përkrahja për të ardhmen evropiane nga lidershipi politik dhe publiku, të jetë një konstantë e paluhatur në nivelet më të larta se në Kosovë.

“Të gjitha partitë politike parlamentare dhe joparlamentare, të gjitha entitetet, si dhe subjektet joqeveritare, në thelb të programeve të tyre, kanë realizimin e agjendës dhe kritereve evropiane, veçmas kriterit ekonomik, politik dhe institucional”, ka deklaruar Lekaj.

Ai ka theksuar se në Raportin e fundit të Progresit të BE-së për Republikën e Kosovës, në pjesën ku flitet për dialogun me Serbinë, është absurde dhe e papranueshme që observimet dhe rekomandimet, janë formular njëjtë si për Kosovë, ashtu edhe për Serbi.

“Kjo nuk reflekton me realitetin”, ka thënë Lekaj, duke shtuar se sado që BE-ja si facilituese e dialogut synon të jetë sa më neutrale dhe simetrike, nuk është fer dhe as korrekt, që Kosova dhe Serbia “të futen në një thes” në lidhje me qasjen në dialog.

Deputeti i AAK-së ka thënë se BE-ja ende nuk i ka realizuar premtimet politike, sikurse është liberalizimi i vizave.

“Me këtë qasje izoluese, ajo po përhapë paqartësi politike në lidhje me synimet e saj ndaj Kosovës. Kjo duhet të mbarojë sa më shpejtë. Liberalizimi do duhej ndodhur dje”, ka deklaruar Lekaj.

Fjalimi i Lekajt drejtuar Parlamentit Evropian:

Të nderuar kolegë,
Më lejoni ta shfrytëzoj këtë format, që si anëtar i këtij mekanizmi të rëndësishëm të dialogut politik në kuadër të MSA-së dhe në emër të subjektit AAK, ta falënderoj secilin që i shërben realizimit të perspektivës evropiane.
Po bëhen disa vite, që kur për Republikën e Kosovës hyri në fuqi Marrëveshja për Stabilizim Asociim, në prill të 2016-ës. Dhe në nisje të fjalës sime dëshiroj ta theksoj një fakt: asgjë më shumë se situata kërcënuese në Ukrainë për kontinentin evropian, nuk ka dëshmuar dhe nuk po dëshmon – se ndonëse kriteret dhe metodologjitë teknike të anëtarësimit në BE janë të rëndësishme, në epiqendër të Bashkimit Evropian, të ardhmes evropiane, është dialogu politik me BE-në dhe mbështetja e vazhdueshme nga BE-ja edhe për vendet si Kosova në arritjet e veta në agjendën e integrimit evropian.
Sa i përket drejtimit të Kosovës, e them me përgjegjësi se nuk ka pothuajse asnjë vend në Evropë, madje as në vendet anëtare, ku besimi dhe përkrahja për të ardhmen evropiane nga lidershipi politik dhe publiku, të jetë një konstantë e paluhatur në nivelet më të larta se në Kosovë.
• Të gjitha partitë politike parlamentare dhe jo parlamentare, të gjitha entitetet, si dhe subjektet joqeveritare, në thelb të programeve të tyre, kanë realizimin e agjendës dhe kritereve evropiane, veçmas kriterit ekonomik, politik dhe institucional.
• Sidoqoftë, jemi realist, që janë dy parakushtet e brendshme për një performancë efikase në rrugën e anëtarësimit: 1. Stabiliteti politik; 2. Një administratë publike profesionale dhe efikase. Në të dy këto aspekte kemi punuar, por po ashtu, kemi mundur të qëndrojmë më mirë.
Si demokraci e re, jemi në dijeni që zgjedhjet e shpeshta interferojnë me realizimin e caqeve ambicioze të institucioneve të dala nga zgjedhjet.
• Pa dyshim, Republika e Kosovës, institucionet dhe qytetarët e saj meritojnë respekt evropian për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe për tranzicion dhe rotacion demokratik të pushtetit.
• Aktualisht në qeverisje janë subjektet të cilat kanë arritur një përkrahje më të gjerë elektorale, e cila do duhej t’i mundësonte efikasitetit në realizimin e premtimeve dhe agjendës evropiane.
Pavarësisht, në rrafshin e dialogut politik me BE-në, subjekti të cilit i përkas, dhe personalisht, më duhet të tërheq vëmendjen për BE-në dhe për Qeverinë disa zhvillime:
• Së pari, nga Komisioni Evropian, institucionet dhe lidershipi i BE-së, kanë pasur një qasje jo të përshtatshme politike dhe një trajtim jo të duhur ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Në Raportin e fundit të Progresit të BE-së për Republikën e Kosovës, në pjesën ku flitet për dialogun me Serbinë, është absurde dhe e papranueshme që observimet dhe rekomandimet, janë formular njëjtë si për Kosovë, ashtu edhe për Serbi. Kjo nuk reflekton me realitetin.
Ju e keni parë që i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka asnjë lidhje me politikën e jashtme të BE-së dhe as me objektivat e politikës së fqinjësisë, është Serbia. Ajo nuk iu bashkua as rajonit dhe as BE-së në sanksionimin e agresionit rus. Serbia aplikon një qasje ruse ndaj Kosovës në dialog.
Duke qenë kështu, sado që BE-ja si facilituese e dialogut synon të jetë sa më neutrale dhe simetrike, nuk është fer dhe as korrekt, që Kosova dhe Serbia “të futen në një thes” në lidhje me qasjen në dialog.
• Së dyti, BE-ja ende nuk i ka realizuar premtimet politike, sikurse është liberalizimi i vizave.
Me këtë qasje izoluese, ajo po përhapë paqartësi politike në lidhje me synimet e saj ndaj Kosovës. Kjo duhet të mbarojë sa më shpejtë. Liberalizimi do duhej ndodhur dje!
Duke ju falënderuar për kohën,
Shpresoj që Kosova sa më shpejtë të jetë në gjendje të aplikojë për anëtarësim, po duket që zhvillimet ndërkombëtare dhe koha, nuk presin qasje të ngadalshme dhe të pasigurt, as nga BE-ja dhe as nga vendet e rajonit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"Alokimi për mbrojtjen ushtarake do të rritet në dy për…