Lekaj: Opozita po tallet me qytetarët, nuk ka numra për rrëzimin e Qeverisë
Opozita ka shpeshtuar zërat për ngritjen e një mocioni për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
Por këtë nismë nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, që njëherësh është edhe ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, po e vlerëson si joserioze.
Lekaj në një intervistë për “EkonomiaOnline” thotë se opozita po tallet me qytetarët, pasi që nuk i ka numrat për rrëzimin e Qeverisë dhe se nuk ka asnjë arsye për ta bërë një gjë të tillë.
“Opozita është munduar që prej ditës së parë ta rrëzojnë Qeverinë Haradinaj, por deri më tani nuk ka seriozitet, sepse as nuk i kanë numrat, as nuk kanë arsye. Mirëpo, unë i them opozitës, ju lutem mos bëni shaka me qytetarët. Nëse i keni numrat thirreni mbledhjen e jashtëzakonshme te Kuvendit bëjeni mocionin dhe ne jemi të përgjegjshëm ndaj votës së qytetarëve dhe nëse e kanë shumicën ne pajtohemi. AAK-ja është serioze në punë e vet. Haradinaj ka qenë ndër kryeministrat që do të mbahet mend për vendimet e dobishme dhe trajtimin e temave që nuk janë trajtuar për 20 vjet”, ka thënë Lekaj.