Lekaj paralajmëron protesta nëse ndalet autostrada e Dukagjinit
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka paralajmëruar se do të organizohen protesta nëse Qeveria aktuale tenton ta ndalojë realizimin projektit për autostradën e Dukagjinit.
Lekaj në një intervistë për “Ekonomia Online” ka sqaruar se ky projekt është aprovuar edhe nga Kuvendi i Kosovës.
“Mendoj që është diçka e padrejtë për Dukagjinin dhe për qytetarët e Dukagjinit ku numërojnë 624 mijë banorë dhe janë taksa paguesit më të mëdhenj të qeverisë së Kosovës dhe nëse merret një vendim i tillë mendoj që po e linçojnë atë regjion dhe ne do të bëjmë atë që duhet më bë dhe do t’i ftojmë qytetarët në protesta dhe do të përdorim të gjitha mekanizmat politik demokratik që mos me u anuluar kjo autostradë sepse edhe kjo autostradë është aprovuar me buxhet në Kuvendin e Kosovës dhe vetë deputetët e kanë aprovuar dhe tani të merret një vendim i padrejtë historia nuk do t’i falë”.
“Ne si Aleancë jemi të vendosur që të ndodhë autostrada e Dukagjinit jo pse ne vijmë nga Dukagjini, por që duhet në tërë Kosovën të trajtohen barabartë dhe mos të linçohet një regjion. Ne i kemi paraprirë bisedat për këtë autostradë edhe me qytetarët edhe me kryetarët dhe 99.9 për qind kanë qenë që duhet të ndodhë dhe dy kryetarët nga LDK-ja ata e kanë thënë një po të madhe dhe tani politikisht të sanksionohet ky regjion është i padrejtë”, ka thënë Lekaj.