Lekaj për autostradën e Anamoravës: ‘Yrysh qeveria’ po ngutet për t’i ndalë projektet që janë në të mirë të qytetarëve
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka komentuar çështjen e inicimit të procedurave ligjore nga ana e pasardhësit të tij, Lumir Abdixhiku për anulimin e tenderit për autostradën të Gjilanit.
Ai ka thënë se qeveria e re është duke u ngutur t’i ndal projektet që janë në të mirë të qytetarëve.
Sipas tij, një veprim i tillë i Abdixhikut është presion i drejtpërdrejt ndaj zyrtarëve të prokurimit.
“Po e shihni pra sesi ‘yrysh qeveria’ po ngutet për t’i ndalë projektet që janë në të mirë të qytetarëve. Pra, po ngutet për ta hequr taksën, për ta penguar këtë projekt të madh për qytetarët e Anamoravës. Ky është një presion që po u bëhet zyrtarëve të prokurimit publik. Këta ose nuk e njohin sistemin, ose këto veprime po i bëjnë në mënyrë të qëllimshme dhe po e nxisin reagimin e qytetarëve”, ka thënë Lekaj për “Epokën e re”.
Lekaj ka theksuar se qytetarët e Anamoravës kanë plotësisht të drejtë ta kundërshtojnë veprimin e ministrit Abdixhiku.
Në këtë kontekst, Lekaj ka thënë se në ditët në vazhdim do të jap sqarime në lidhje me këto zhvillime brenda ministrisë të cilët e ka drejtuar deri para pak ditësh.
“Mendoj se qytetarët e Anamoravës kanë plotësisht të drejtë ta kundërshtojnë një gjë të tillë sepse ne si Ministri e Infrastrukturës kemi ndjekur anën ligjore, duke u mbështetur në Ligjin e Prokurimit Publik dhe ministri nuk është ai që ndërhyn në prokurimin publik. Pra, nenet e atij ligji tregojnë se ministri nuk ka të drejtë të bëjë presion mbi zyrtarët apo të ndërhyjë dhe të ndalojë diçka që është ligjore. Kjo le të mbetet në natyrën e tyre. Unë si ish-ministër do ta sqaroj këtë çështje në detaje gjatë ditëve të ardhshme”, është shprehur Lekaj, duke shtuar se paralajmërimet dhe veprimet e qeverisë Kurti nuk janë mesazhe të mira për qytetarët.
“Unë me marrjen e postit të ministrit nuk kam anuluar asnjë tender, edhe pse kam pasur të drejtë të kërkojë sugjerime dhe këshilla. Por, kam vazhduar rrugën institucionale për të ecur punët. Nuk ndryshon bota me ardhjen e kësaj qeverie në pushtet. Nuk ka ndryshuar bota as kur ne i kemi marrë përgjegjësitë qeverisëse. Jeta vazhdon. Mirëpo marrja e vendimeve të tilla në ditët e para, mendoj se është një mesazh i keq për qytetarët. Paralajmërimi për moszhvillimin e procedurave për Autostradën e Dukagjinit dhe inicimi i procedurave ligjore për anulimin e tenderit në lidhje me autostradën e Gjilanit, është një atak për qytetarët e këtyre anëve”, ka deklaruar Lekaj.