Lekaj priti në takim deputeten shqiptare në parlamentin e Kroacisë
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka pritur sot një delegacion të komunitetit shqiptarë që veprojnë në Kroaci, të kryesuar nga Ermina Lekaj-Perlaskaj deputetja e parë shqiptare në Parlamentin e Republikës së Kroacisë, njëherësh edhe përfaqësuese e pakicave (shqiptare ,sllovene, maqedone, malazeze dhe boshnjake).
Ministri Lekaj ka falënderuar deputeten Perlaskaj dhe komunitetin e bizneseve shqiptare në Kroaci, për interesimin e tyre për vendin tonë.
Lekaj dhe deputetja Lekaj-Perlaskaj, kanë biseduar për disa projekte të infrastrukturës që janë duke u realizuar në vendin tonë, si dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë në lëmin e infrastrukturës.
“Ne krenohemi me komunitetin shqiptar që ka qenë çdo herë afër Kosovës, e sidomos gjatë kohës së luftës, por edhe tani janë të interesuar që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë dhe t’i ndihmojnë zhvillimit ekonomik të Kosovës”, ka thënë ministri Lekaj.