Lekaj: Qeveria Kurti ka pasur mundësinë ta arrestojë Radoiçiqin, por s’e ka bërë
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka reaguar pas paralajmërimeve nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri Xhelal Sveçla për sulme të reja nga Serbia.
Deputeti Lekaj ka thënë se Kurti në vend që të merret me punë dhe projekte për zhvillim të shtetit, ai po merret me konferenca mediatike për të krijuar mjegull tek qytetarët.
“Kryeministri Kurti në vend që të merret me punë, projekte e zhvillim të shteti, ai merret me konferenca mediatike për të krijuar mjegull e huti tek qytetarët”, ka thënë Lekaj.
Më tutje, Lekaj ka thënë se është fat i keq që Kosova është vazhdimisht e kërcënuar nga Serbia dhe që përballet më një shtet fqinj zullumqarë.
“Është fat i keq që Kosova është e kërcënuar vazhdimisht nga Serbia dhe po përballet me një shtet fqinjë zullumqarë”, ka thënë ai për “Blic”, duke shtuar se qasja e Kurtit është gabim, pasi sipas tij “ai duhet të mbaj takime të rregullta me ekspertë të sigurisë, institucionet e rendit dhe ligjit që të parandaloj sulmet eventuale nga Serbia”.
“Kryeministri po gabon me këtë qasje. Ai duhet të mbajë takime të rregullta me ekspertët e sigurisë në vend, spektrin politik, institucionet e rendit dhe ligjit në vend, jo vetëm për të bërë përgatitjet, por edhe për të arritur të parandalojë sulmet eventuale nga Serbia. I gjithë ky angazhim duhet të bëhet me praninë dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Pra, kjo strategji e veprimit mungon, dhe kjo nuk është e mirë pasi Siguria është baza e shtetit tonë dhe të ardhmen tonë”, ka thënë ai.
Deputeti ka thënë se kjo qeveri ka pasur mundësinë që ta arrestoj Milan Radojçiqin, por nuk e kanë bërë dhe tani e shpallin si të rrezikshëm.
“Kur jemi tek Radojçiqi, mos të harrojmë që kjo qeveri e kishte në menaxhim situatën në veri, i njëjti ishte i rrethuar dhe kanë pasur mundësi ta arrestojnë, gjë që nuk e kanë bërë dhe tani e shpallin si të rrezikshëm”, ka thënë Lekaj.
Lekaj i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që t’i kthehet bashkëpunimit me akterët e brendshëm të vendit, pasi që situata nuk është e mirë në kuptimin e sigurisë.
“Unë i bëjë thirrje kryeministrit që ti kthehet bashkëpunimit me akterët e brendshëm të vendit, me qëllim të mbrojtjes së vendit, sepse vërtet situata nuk është e mirë në kuptim të sigurisë”, ka thënjë deputeti Lekaj.