Lekaj reagon lidhur me ndërprerjen e punimeve në autostradën ‘Arbën Xhaferi’
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar lidhur me ndërprerjen e punimeve në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Ai në profilin e vet në “Facebook” ka shkruar se është për keqardhje kur dëgjon se një projekt gjigant infrastrukturor që është në fazën e finalizimit, po pengohet.
“Autostrada “Arbën Xhaferi” që përveç lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve, ka ndikim pozitiv edhe në ekonominë e vendit, nuk guxon të përballet me të tilla ndalesa të organizuara për qëllime personale. Prandaj, Hani i Elezit duhet t’i gëzohet realizimit të këtij projekti, për të mirën e vendit”, ka shkruar Lekaj.
“Për shkak të dëmtimit të pronës publike dhe private, mbylljes së disa rrugëve ekzistuese dhe zhurmës së madhe gjatë natës nga ana e kompanisë Bechtel-Enka e cila po realizon projektin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, Komuna e Hanit të Elezit ka vendosur të ndërpres komunikimin dhe bashkëpunimin me kompaninë Bektel-Enka”, është bërë me dije në njoftimin e Komunës së Hanit të Elezit.