Lekaj: Rrugët regjionale dhe nacionale të kalueshme në mbarë Kosovën
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka bërë me dije se edhe përkundër reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta që po mbretërojnë në vendin tonë, të gjitha rrugët nacionale dhe regjionale në përgjegjësi të kësaj ministrie janë të kalueshme.
Postimi i plotë i Lekajt:
Mirëmengjesi Kosovë!
Sot kemi një nga shumë ditët dimërore ku do të ketë reshje të borës dhe temperatura të ulëta (-3 deri në -10) thuajse gjatë gjithë ditës. Prandaj kujdesi në komunikacion duhet të jetë primar. Rrugët Nacionale dhe Regjionale në mbarë Kosovën janë të kalueshme, edhe përkundër reshjeve të pandërprera sidomos në rajonet malore dhe në rrugët që të dergojnë për në pikat kufitare të vendit tonë. Kompanitë e kontraktuara nën mbikëqyrjen e menaxherëve rajonal, janë në punë dhe të angazhuar maksimalisht që të mos ketë bllokim të rrugëve.
Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin edhe të policisë por edhe të vetë pjesëmarrësve në komunikacion që të mundësojmë qarkullim të sigurtë për të gjithë.