Lekaj: Taksa për Rrugën e Kombit, e papërballueshme
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar ndaj vendimit të institucioneve të Shqipërisë për vënien e taksës për Rrugën e Kombit.
Sipas vendimit të institucioneve të Shqipërisë, nga 15 prilli kushdo që kalon Rrugën e Kombit është i obliguar të paguajë pesë euro një drejtim me veturë, ndërsa 10 euro për automjete të rënda.
Ministri Lekaj në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë njoftim në lidhje me këtë vendim. Lekaj ka bërë me dije se pas këtij vendimi ka kërkuar një takim me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri. “Procesi i vendosjes së taksës për Rrugën e Kombit është një temë që ka disa kohë që është diskutuar në publik, por njoftim apo diskutim të veçantë ndërmjet dy ministrive apo edhe ndërmjet meje dhe ministrit Gjiknuri nuk ka pasur”, ka thënë Lekaj.
Ministri Lekaj ka theksuar se kjo taksë është e papërballueshme. “Personat fizikë dhe juridikë të Kosovës, të cilët qarkullojnë përditë, nuk besoj se mund ta përballojnë këtë çmim për kohë të gjatë sepse, sipas vlerësimeve tona, është çmim i lartë”, është shprehur Lekaj, duke shtuar se paraprakisht është dashur të bëhet një konsultim ndërmjet dy shteteve. “Rrugët janë për të lidhur qytete, shtete e popuj prandaj, edhe kur marrim vendime për të tilla gjëra, siç tani e kemi rastin me tarifën rrugore, duhet të konsultohemi me njëri-tjetrin sepse, në fund të fundit, nëse për asgjë tjetër, jemi dy shtete me shumicë absolute të të njëjtit popull”, është shprehur Lekaj.
“Epoka e re”: Z. Lekaj, tashmë jeni në dijeni për taksën që ka vendosur shteti shqiptar për Rrugën e Kombit. Si e keni parë këtë vendim dhe a keni qenë paraprakisht të njoftuar ju si ministër?
Lekaj: Procesi i vendosjes së taksës për Rrugën e Kombit është një temë që ka disa kohë që është diskutuar në diskursin publik, por njoftim apo diskutim të veçantë ndërmjet dy ministrive apo edhe ndërmjet meje dhe ministrit Gjiknuri nuk ka pasur. Është një vendim që i takon ta komentojë qeveria shqiptare. Ne s’mundem dhe as nuk dëshirojmë të ndërhyjmë në këtë çështje.
“Epoka e re”: A mendoni se është një taksë e lartë për qytetarët e të dy vendeve dhe vendim i ngutshëm nga ana e Shqipërisë?
Lekaj: Personat fizikë dhe juridikë të Kosovës, të cilët qarkullojnë përditë, nuk besoj se mund ta përballojnë këtë çmim për kohë të gjatë sepse, sipas vlerësimeve tona, është çmim i lartë.
“Epoka e re”: Cili ka qenë kontakti juaj si ministër me institucionet e shtetit shqiptar?
Lekaj: Ne i jemi drejtuar me një letër ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ku kemi kërkuar një takim në kohën sa më të shkurtër të mundshme, ku do të diskutojmë edhe për këtë çështje (për tarifën rrugore), por edhe për tema të tjera që janë me interes për dy vendet tona.
“Epoka e re”: A do të duhej që ky vendim paraprakisht të diskutohej në dy mbledhjet e dy qeverive, pasi këto mbledhje është thënë se po mbahen për t’i hequr barrierat mes dy shteteve dhe për të pasur lehtësira ndërmjet dy anëve?
Lekaj: Besoj se ata i kanë menduar mirë këto gjëra dhe është në dorën e tyre të veprojnë ashtu siç ata e vlerësojnë se është më se miri. Rrugët janë për të lidhur qytete, shtete e popuj prandaj, edhe kur marrim vendime për të tilla gjëra, siç tani e kemi rastin me tarifën rrugore, për të konsultohemi me njëri-tjetrin sepse, në fund të fundit, nëse për asgjë tjetër, jemi dy shtete me shumicë absolute të të njëjtit popull.
Albulena S. MAVRAJ