Lekaj thotë se nëse s’ka pajtim që Haradinaj të jetë president, zgjedhjet mbeten opsion
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka komentuar çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Lekaj ka thënë se qëndrimi i AAK-së është i qartë: ose Haradinaj president, ose vendi shkon në zgjedhje.
“Qëndrimi ynë është i qartë, të biem dakord për ta zgjedhur presidentin. Nëse jo, zgjedhjet mbeten opsion. Nuk mund të lejojmë vakuum kushtetues”, ka deklaruar Lekaj në një intervistë për “Epokën e re”.
Lekaj ka thënë se opozita ka të drejtë të kërkojë edhe zgjedhje, por sipas tij duhet të bisedohet për ta zgjedhur presidentin e ri.
“Opozita ka të drejtë të kërkojë atë që mendon se është zgjidhje e mirë sipas saj, ndërsa ne kemi qëndrimet tona. Duhet të bisedojmë me njëri-tjetrin për ta zgjedhur presidentin dhe AAK-ja e ka bërë tashmë propozimin e saj, Ramush Haradinajn”, ka thënë Lekaj.