Lekaj zotohet për përmbushjen e rekomandimeve nga auditorët
Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar të premten raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Infrastrukturës.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, gjatë raportimit të tij para anëtarëve të këtij komisioni, ka bërë me dije se nuk është i kënaqur me gjendjen e menaxhimit që ka gjetur në këtë ministri.
Ai ka premtuar se do të punohet në përmbushjen e rekomandimeve të dala nga auditorët.
“Nuk jam i kënaqur me menaxhimin që kam gjetur në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Janë diku 18 çështje të theksuara në menaxhimin e financave publike duke u bazuar në prioritetet por edhe në vijat buxhetore. Pas marrjes së raportit të auditimit në muajin qershor, nuk kemi pasur një argument të fuqishëm t’i kundërshtojmë këto të gjetura. Ka ardhur një auditim përfundimtar me çështje të kualifikuara me argumente jo fort të pranueshme. Pas kësaj, kemi bërë planin e veprimit për përmbushjen e raportit të auditimit dhe do të mundohemi që t’i përmbushim këto kritere”, ka deklaruar Lekaj.
Ministri Lekaj ka sqaruar të dhënat e auditorit, duke thënë se si ministri janë duke iu përmbajtur vijave buxhetore.
Ai ka përmendur edhe punësimin e një zyrtari serb që paguhet nga Ministria e Infrastrukturës por që nuk e ushtron detyrën e tij, por që ka ardhur në këtë pozitë përmes një marrëveshje ndërkombëtare.
Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka përmendur disa nga problemet të cilat janë gjetur në raportin e auditorit.
“Një problem tjetër është mungesa e sistemimit dhe ruajtjes së rregullt të dokumentacionit. Te pagat dhe menaxhimi i personelit, auditori vëren mbajtjen e personelit me ushtrues të detyrës. Problemi tjetër te prokurimi është klasifikimi i shpenzimeve kapitale dhe pasqyrat financiare nuk paraqiten drejt. Ka keqklasifikime te mallrat. Kurse te menaxhimi i borxheve del se ato janë rritur gjatë vitit 2017”, ka thënë Hoti, duke shtuar se rekomandimet e vitit paraprak janë zbatuar në masë të kënaqshme
Kryetari i Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Selmanaj, ka folur për punësimin e qytetarit serb, i cili nuk e ushtron detyrën në këtë ministri.
Ai ka thënë se duhet të dinë se çfarë pune kryejnë këta njerëz. “Nuk mund të paguhen dhe të mos punojnë. Kjo është e jashtëligjshme dhe nuk thuhet kështu në marrëveshje ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.