Leksion demokracie!
Nga: Giorgio Gaber
Përktheu: Beti Njuma
Pas vitesh reflektimi mbi mundësitë e shumta që ka një shtet për t’u organizuar, kam arritur në përfundimin se demokracia është sistemi më demokratik që ekziston. Pra, ekziston demokracia, diktatura dhe kaq. Vetëm dy sisteme. Unë besoja se ekzistonin më shumë. Ka pasur diktaturë në Itali dhe ata që e kanë parë e dinë se çfarë është, të tjerët duhet të kënaqen se kanë parë vetëm demokracinë. Fundja, si mund të mos jemi demokratikë në ditët tona?
Fjalori thotë se “demokraci” do të thotë “pushtet për popullin”. Shprehja është sugjestive dhe poetike. Por, çdo të thotë: pushtet për popullin? Si arrihet? Kjo nuk është e shkruar në fjalor.
Megjithatë, dihet se që prej vitit 1945, pas dy dekadave fashiste, populli italian fitoi më në fund të drejtën e votës. Kështu lindi “Demokracia përfaqësuese”, e cila pas disa modifikimeve gjeniale arriti deri aty sa ju të delegoni një parti e cila zgjedh një koalicion, që gjithashtu zgjedh një kandidat që ju nuk e dini se kush është dhe që po juve e delegoni për t’ju përfaqësuar për pesë vjet. Dhe, nëse e takoni, me të drejtë ai ju thotë: “Ju nuk e dini kush jam unë”! Ky është pushteti i popullit. Por, nuk është vetëm ky. Ka edhe forma edhe më shumë pjesëmarrëse.
Referendumi, fjala vjen, është një praktikë e “demokracisë së drejtpërdrejtë”, jo shumë praktike, përmes të cilit sekush mund të shprehë mendimin e tij për gjithçka. Vetëm se, nëse gjyshes sime i duhet të vendosë për korridorin rrugor Variante di Valico Barberino-Roncobilaccio, ajo në fakt ka disa vështirësi. Edhe për faktin është nga Venecia.
Demokracia nuk është armike e cilësisë. Është cilësia, armike e demokracisë.
E kësisoj, kur të budallallepsemi të gjithë në të njëjtën mënyrë, demokracia do të jetë e përkryer.