Lëkundet fortë koalicioni qeverisës në Prishtinë, por katër drejtorë të PDK-së vazhdojnë detyrën
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama sot ka liruar nga detyra nënkryetaren Donjeta Sahatçiu e cila ishte e propozuar nga PDK për këtë post si pjesë e marrëveshjes së koalicionit.
Sahatçiu është zyrtarja e dytë e PDK-së që shkarkohet nga Rama pas Ilirik Musliut i cili ka mbajtur pozitën e drejtorit të Shërbimeve Publike në Prishtinë.
Për më tepër, Rama si ushtruese të detyrës së drejtoreshës së Arsimit ka vendosur Jehona Lushaku-Sadriun, post të cilin e mbante PDK-ja.
Siç njofton Rama, Sahatçiu u shkarkua për shkak të ngecjeve të evidentuara në fushën e digjitalizimit, fushë të cilën e ka udhëhequr ajo.
Ndërsa shkarkimi i Musliut, sipas Ramës erdhi për shkak të “gjendjes alarmante” me menaxhimin e mbeturinave.
Këto ndryshime kanë lëkundur shumë koalicionin mes LDK e PDK në kryeqytet.
Ndaj këtyre zhvillimeve kanë ardhur menjëherë reagimet nga PDK.
Nënkryetarja e PDK, Vlora Çitaku ka përgëzuar Sahatçiun për punën e bërë derisa thotë se ajo nuk u bë pjesë e “lojërave të ndyta politike”.
“Lojërat e ndyta politike janë posaçërisht të rënda për gratë profesioniste e të pakompremetuara. Shkarkimi përmes Facebook është më i lehtë kur mungojnë argumentet”, ka shkruar Çitaku.
“Jam krenare që nuk ke pranuar të jesh pjesë e skemave abuzive qoftë me pronat në Badovc, qoftë në procesin e digjitalizimit”, ka vijuar ajo.
E dyta e PDK-së ka thënë se Përparim Ramës përgjigjen do t’ia japin zyrtarisht e jo në Facebook.
“Donjetë, je dhe ke me mbetë faqebardhë. Vetëm përpara. E Përparimit përgjigjen e merituar do t’ia japim zyrtarisht. Jo në Facebook”.
Edhe deputetja e PDK-së Eliza Hoxha ka thumbuar kryetarin e kryeqytetit Përparim Rama.
“Goxha thellë BADOVCI për ata po notojnë në te”, ka shkruar Hoxha në Facebook.
Mirëpo PDK ende ka drejtorë në ekzekutivin e Prishtinës.
Plator Gërdovci nga PDK vazhdon të drejtojë Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Prishtinës.
Poashtu edhe Granit Rugova mbetet drejtor i Drejtorisë së Sportit.
Edhe Arta Balaj nga PDK mbetet në pozitën e drejtoreshës për Kulturë, në Komunën e Prishtinës.
Besiana Musmurati pavarësisht se ndodhet në pushim të lehonisë, ajo mbetet drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë./Telegrafi/