Lëkurë elektronike për të monitoruar shëndetin
Doktorët mund të jenë vetëm pak vite larg mundësisë për të monitoruar shenjat vitale të njeriut nëpërmjet një lëkure elektronike që do të mund të vishet. Shkencëtarët në Japoni thonë se po zhvillojnë një lëkurë ultra e hollë dhe e lehtë, e-skin, që ngjitet në zonën e kraharorit dhe që aktualisht mund të vishet për një javë.
Sipas asaj që shkruan CNN, teknologjia u zhvillua nga Takao Someya, profesor në Universitetin e Tokios. Kjo lëkurë pritet që t’i nënshtrohet testeve klinike, megjithatë Someya thotë se ka nisur punën me partnerët për të krijuar kushtet që do të ndihmojnë në prodhimin e saj në masë.
E krijuar nga një material fleksibël, alkool polivinil, e-skin është një sensor që vishet dhe që mund të detektojë sinjale të tilla si rrahjet e zemrës dhe impulset elektrike nga lëvizja e muskujve.
Një transmetues i vogël wireless i kapur tek kraharori do të përçojë të dhënat e rrahjeve të zemrës, tek një smartphone apo laptop ose në Cloud, duke i dhënë kështu mundësinë mjekëve që ta monitorojnë pacientin nga larg.
Kjo lëkurë u krijuar kryesisht për shkak të popullatës në plakje të Japonisë. Në mënyrë që kujdesi ndaj shëndetit në largësi të jetë sa më efektiv, Someya thotë se është e rëndësishme që shëndeti i të moshuarve të monitorohet për një periudhë të gjatë dhe me precizion të lartë.
Për shkak të jetëgjatësisë, ai thotë se e-skin është një mjet i fuqishëm për të monitoruar sëmundjet kronike të tilla si diabeti, apo problemet me zemrën. Ajo mund të detektojë gjithashtu shenja të hershme të sëmundjeve./tvklan.al/