“Lëkurëharta ime”, një vepër për fatin e kombit tonë
Flamur Maloku
Miku im, prof. dr. Adem Zejnullahu, me të cilin pata fatin të njihesha para disa vitesh në Institutin Albanologjik, kur punoja në një projekt shkencor të profesor Zymer Nezirit, këtë javë nxori nga shtypi librin “Lëkurëharta ime”. Me këtë libër me poezi profesor Zejnullahu opusit të vet krijues, prej dhjetëra veprash shkencore dhe letrare, i ka shtuar vlerën dhe dimensionin poetik, estetik dhe historik.
Njëqind e nëntë poezitë e librit “Lëkurëharta ime” profesor Zejnullahu i ka shpërndarë në këta pesë cikle: “Lëkurëharta ime”, “Urtia të mos humbë udhë”, “Në këtë shekull të ri”, “Mall vendlindje”, “E bukura jeton pak”. Por, para këtyre cikleve ka vënë vjershën e gjatë “Programatike”, në të cilën paraqiten disa prej motiveve në jetën e autorit, për realizimin e të cilave është përpjekur kohë të gjatë ndër vite. Ndërkaq, në fund të librit ka radhitur pasthënien e prof. dr. Faik Shkodra shkruar për librin, në të cilën ka analizuar hollësisht poezitë, duke bërë krahasim të poezisë së tij që, për nga niveli estetik, ngjasojnë me poezitë e poetëve Jakup Ceraja, Rrahman Dedja, Ali Podrimja, Agim Vinca, Din Mehmeti, Rexhep Elmazi.
Në librin “Lëkurëharta ime” profesor Zejnullahu shpreh, me fjalë dhe figura të fjalëve, dhembjen tonë të përbashkët, të popullit shqiptar, që Konferenca e Londrës e deri në ditët e sotme, që ende nuk dihet qartë fati i Mitrovicës Veriore, për të cilën, sa herë që e zë ngoje, ndien dhembje dhe shpreh revoltë. Ndërkaq, mall dhe trajtim të temës historike dhe të fatit të keq shpreh për Çamërinë, fatin e së cilës nuk e harron kurrë.
Autori, për fatin e popullit shqiptar, të shpërndarë në disa shtete, për padrejtësitë e shumta që i janë bërë atij, i vërsulet Evropës, të cilën e quan “hileçare e kohëve të mugëta”, së cilës e di që nuk i ka asnjë borxh të palarë, prandaj edhe kërkon që fati dhe territori i shqiptarëve të trajtohet ndryshe nga ajo. Kjo brengë e poetit dhe ky reagim i tij përcillet edhe në poezinë “Arbërisht”.
Megjithatë, jo në gjithë librin Zejnullahu përballet me të kaluarën. Jo në gjithë librin e tij trajtohen tema historike, fati i popullit, i shtetit dhe i kombit. Në poezitë e tij ka tema edhe nga përditshmëria jonë, nga pushimet buzë detit të Ulqinit, ashtu siç ka edhe poezi kushtuar Isa Boletinit, tërmetit të fundit të ndodhur në nëntor 2019 në Shqipëri, shumimit të qenve të shumtë endacakë në kryeqytet dhe rrallimit të njerëzve të njerëzishëm.
Profesor Zejnullahu nuk është i ri, por ai shkruan poezi për shekullin e ri, edhe për atë dhe ata të vjetrit (sidomos për Motin e Madh). Është një vrojtues motivesh dhe temash sociale të cilat i letrarizon, të cilave u jep kuptim filozofik dhe etik. Ai e di çfarë ka ndodhur para pesëqind vjetësh në gjeografinë shqiptare, çfarë ka ndodhur për tre-katër shekuj me radhë në truallin ilir dhe çfarë ka ndodhur para 21 vjetësh në Kosovë. Prandaj, jo dhe pa një qëllim librit i ka vënë titullin “Lëkurëharta ime”, e cila i ka shërbyer, ashtu sikurse mua faqet për këtë këndvështrim, për t’i shkruar të ndodhurat e popullit të tij, sidomos fatkeqësitë e shumta, të cilët na fton t’i kujtojmë gjithmonë dhe t’i trajtojmë në vepra edhe të natyrës së poezisë lirike, njëkohësisht të përpiqemi, me mish dhe shpirt, që copat e ndara të Shqipërisë Etnike t’i bashkojmë në një, dikush prej nesh me kontribut letrar, dikush tjetër me kontribut politik.
Po e ndërpres këtë këndvështrim këtu, të cilin më shumë e ofrova si një lajm për një libër të ri të një studiuesi të vyeshëm e poeti të shquar, për ta vazhduar variantin e gjatë të shkrimit në librin me recensione dhe kumtesa që po bëj gati për shtyp.
Shënime për autorin
Prof. dr. Adem Zejnullahu, studiues i letërsisë gojore dhe i letërsisë së shkruar shqipe, shkrimtar, profesor universitar. Ka lindur në Banjskë, komuna e Vushtrrisë. Kreu shkollën normale, studimet e larta të gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës (1972); po aty studimet pasuniversitare, ku mbrojti doktoratën në shkenca filologjike (1986). Deri më 1982 punoi mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkolla të ndryshme të Prishtinës dhe në Mitrovicë. Prej vitit 1982-2010 punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në fillim hulumtues i pavarur, këshilltar shkencor dhe përgjegjës i Degës së Folklorit për disa vjet. I është kushtuar studimit të krijimtarisë gojore dhe prozës së shkruar, këngëve popullore historike dhe baladave popullore.
Ka botuar monografi dhe vepra studimore për folklorin dhe letërsinë shqipe.
Ka shkruar dhe përgatitur mbi 30 vepra nga fusha e folklorit, kurse është autor i 500 njësive bibliografike, studimeve, trajtesave, artikujve, recensioneve për probleme të ndryshme nga fusha e folklorit dhe nga letërsia e shkruar.
Profesor Zejnullahu është fitues i shumë shpërblimeve letrare për poezi dhe për vepër jetësore. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.
BABËZISË
Bashkë jetojmë
Po qejfin
S’dua të ta bëj
Troç ta them
Unë rrokullis gurë
Prishi paqe
EVROPË
Hiliçare e kohëve të mugëta
Nëpër leqe
Nëntë dredhë m’i nxore
Nga shpina e regjur
Në shekuj çalamanë
Në qafë më ke lidhur lak
E nuk t’kam
As hile as hak!
Xhelati me sëpatë
Pret koka në cung
Zihet e zgërdhihet
E ti me pahir
Bën sehir!
Evropë, moj Evropë
Që një shekull plagët kullojnë gjak
Ku e humbe çekanin e drejtësisë, ore?!
(25.3.1999)