Lëndohet Ajeti, ftohet Mersinaj
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar për një ndryshim në listën e Kombëtares për dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve të “Euro 2024” ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Arlind Ajeti nuk do të jetë i gatshëm për këto dy sfida për shkak dëmtimi. Futbollisti është dëmtuar gjatë ndeshjes së fundit në kampionatin rumun me Cluj, por është paraqitur që mbrëmë në grumbullimin e Kombëtares, duke iu nënshtruar kontrolleve mjekësore.
Pas rezonancës magnetike është konkluduar se Ajeti ka një dëmtim në muskujt e pasëm të kofshës së majtë dhe ka nevojë për disa ditë pushim para se të nisë rikuperimin.
Në këto kushte, trajneri Sylvinho ka vendosur të thërrasë për këto dy ndeshje mbrojtësin Jon Mersinaj, i cili do të bashkohet me ekipin në orët në vazhdim. Lojtarët e tjerë nuk kanë probleme fizike dhe i gjithë grupi pritet të plotësohet gjatë mbrëmjes së të hënës.