Lëndohet sërish Lukaku, tashmë rrezikon Botërorin
E pabesueshme ajo që po ndodh me Romelu Lukakun. Sulmuesi belg nuk gjen paqe dhe pëson një tjetër dëmtim të rëndë edhe pse u rikthye pas dy muajsh në fushën e blertë duke u aktivizuar në fillim me Viktoria Plzenin në Champions, ku gjeti dhe rrugën e rrjetës dhe me Sampdorian ku u aktivizua për 23 minuta.
Simone Inzagi do të bëjë sërish pa shërbimet e 29-vjeçarit belg, i cili humbet ndeshjen ndaj Bayernit të Mynihut, nesër në mbrëmje, në orën 21:00 në stadiumin “Allianz Arena” për takimin e fundit në fazën e grupeve në Champions, por edhe me shumë mundësi në derbin e Italisë ndaj Juventusit, e programuar të dielën e 6 nëntorit në stadiumin “Allianz” në orën 20:45.
Sipas medieve italiane, gjendja e Lukakut do të vlerësohet ditë pas dite për të parë mundësinë nëse rrezikon Botërorin e Katarit dhe mbylljen e vitit 2022.
Aktualisht me fanellën e Interit në të gjitha kompeticionet, Romelu Lukaku është aktivizuar gjithsej në 5 ndeshje mes kampionatit dhe Champions-it, duke shënuar 2 gola dhe duke dhuruar gjithashtu edhe 1 asistim për shokët e skuadrës.