Lënia e Haradinajt në fund të skenës në parakalimin e FSK-së dhe policisë nxit reagime: Poshtërim e fyerje
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, është lënë të ulet në fund të skenës së ngritur, në organizimin e mbajtur sot për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ku ka parakaluar Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës.
Haradinaj është parë i ulur në rreshtin e parafundit, bashkë me deputetë të AAK-së.
Ish-diplomati i Kosovës në Kanada, Donat Syla, e ka quajtur këtë poshtërim dhe fyerje. Syla ka thënë se Haradinaj nuk do të duhej të ftohej në këtë ngjarje si kryetar i AAK-së, por si përfaqësues i një familje emblematike dhe se do të duhej të ulej përkrah Rifat Jasharit.
“S’di a është gabim protokolli apo e qëllimshme, mirëpo me e lanë Ramush Haradinajn kaq prapa është poshtërim e fyerje, jo për të, por për gjakun e dëshmorëve dhe qëndresën e sakrificën stoike të familjes Haradinaj. Ai aty nuk do të duhej te ftohej si kryetar i AAK-së, po si përfaqësues i një familje emblematike, e do të duhej të ulej përkrah bacës Rifat!”, ka shkruar Syla në “Facebook”.
Familja Haradinaj ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën për liri të vendit. Dy djem të kësaj familje, Luani dhe Shkëlzeni, kanë rënë heroikisht në luftë. Ramush Haradinaj dhe Daut Haradinaj kanë qenë ndër figurat kryesore të UÇK-së.