Leonard Llolluni, kandidat i Aleancës për kryetar komune të Junikut!
Kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj ka vizitur degën e AAK-së në Junik, me ç’rast ka bërë edhe nominimin e kandidatit për kryetar të Junikut, Leonard Llollunin.
Kështu ka bërë të ditur Haradinaj përmes llogarisë së vet në “Facebook”.
Njoftimi i plotë i Haradinajt:
Sot në Junikun e historisë, në takim me kolegët nga Aleanca zhvillova një diskutim përmbajtësor për zhvillimet aktuale në vendin tonë dhe aspektet organizative në degë. Momentumi pozitiv i Aleancës në Junik dhe diskutimi i frytshëm e vërteton qëndrushmërinë tonë politike dhe fuqinë tonë në Junik.
Në këtë takim, z. Leonard Llolluni mori edhe zyrtarisht besimin për të qenë kandidat i AAK-së për kryetar komune i Junikut.
Leonardi është pjesë e gjeneratës së re të politikanëve që u rritën me Aleancën. Ai shërbeu për disa vjet në Komunën e Junikut si drejtor i Zhvillimit Ekonomik, ku shkëlqeu me rezultate shumë të larta, veçanërisht në promovimin e turizmit në Junik. I përkushtuar dhe i përgjegjshëm në punë, ai fitoi besimin e elektoratit junikas, duke dalë më i votuari në zgjedhjet nacionale të vitit 2021, ndërsa në zgjedhjet e fundit partiake, ai mori udhëheqjen e Aleancës në Junik.
Urime Leonard! Suksese të përbashkëta në rrugëtimin tonë drejt një të ardhmeje më të mirë për Junikun!