Leonardo Di Caprio apel për mbrojtjen e lumit Vjosa në Shqipëri
Aktori i famshëm i Hollywood-it dhe njëkohësisht aktivist i mirënjohur për çështjet ambjentaliste, Leonardo Di Caprio i ka bërë thirrje miliona ndjekësve të tij në rrjetet sociale të firmosin peticionin për mbrojtjen e lumit Vjosa nga ndërtimi i hidrocentraleve dhe për krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës.
Di Caprio shkruan:
Lumi Vjosa i Shqipërisë është një nga lumenjtë më të mëdhenj në Europë. Që prej maleve të Greqsë dhe deri në detin Adriatik në Shqipëri, ai shtrihet për 300 km, krejtësisht i lirë nga barrierat artificiale si hidrocentralet. Lumenjtë dhe përrenjtë që derdhen në Vjosë janë habitati i mbi 1100 specieve të egra, shumë prej të cilave janë të kërcënuara.
Vjosa është kurora e zemrës blu të Europës dhe njerëz nga e gjithë Shqipëria duan që ta mbrojnë përgjithmonë. Ata po i kërkojnë qeverisë që të krijojë Parkun Kombëtar të Vjosës, çka do e shndërronte atë në parkun e parë të një lumi të lirë në Europë.
Bashkojuni atyre. Shihni dhe shpërndani filmin “Vjosa Forever” dhe firmosni peticionin.