‘L’Equipe’ zbulon sakrificën e Mbappes për t’u kthyer në stërvitje me ekipin e parë të PSG-së
“Telenovela Mbappe” vazhdon me një kapitull të ri. Pas rikthimit në dinamikën e ekipit të parë, pas një takimi ku klubi dhe lojtari afruan pozicionet, në rendin e ditës është rinovimi i mundshëm i francezit.
PSG-ja dëshiron të rinovojë kontratën e Mbappes dhe të shmangë në çdo mënyrë të mundshme që sulmuesi të largohet falas, pa lënë asnjë para në arkën e klubit parisien. Madje, nga Franca avancuan me lajmin se Kylian mund të marrë në konsideratë zgjatjen e kontratës së tij. Pavarësisht kësaj, “L’Equipe” thekson se në takimin mes futbollistit dhe klubit nuk është menduar asnjëherë rinovimi i kontratës dhe Kylian Mbappe vazhdon të mbajë qëndrimin e tij për mos zgjatje të marrëveshjes deri në vitin 2025.
Sipas informacioneve të gazetës franceze, ylli francez mund të falë disa para si gjest mirënjohjeje për rikthimin në radhët e ekipit të parë parisien. Vlerësohet se shuma që Mbappe do të falë nënkupton rreth 100-150 milionë euro për PSG-në. Një gjest që “L’Equipe” e përshkruan si një “sakrificë personale”. Lojtari ende i PSG-së e ka bërë të qartë në disa raste tashmë synimin e tij për të mos u larguar falas nga klubi francez.
Për këtë duket se rinovimi me një klauzolë të mundshme largimi të rënë dakord do të ishte alternativa më e mirë, edhe pse për momentin duket larg arritjes.