Lëshohen në hapësirë satelitët ‘Albania 1’ dhe ‘Albania 2’ (video)
Janë lëshuar në hapësirë satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka postuar në “Facebook” momentin kur satelitët janë lëshuar në hapësirë nga Cape Canaveral në Florida.
Rama ka thënë se nga tani Shqipëria ka më shumë aftësi të teknologjisë së lartë për të kontrolluar, mbrojtur e administruar territorin e saj.
“Ja dhe kjo, u tha, u bë. Sapo është lëshuar nga Cape Canaveral, Florida raketa ‘Falcon 9’, misioni i përbashkët i ‘SpaceX Transporter 6’ që transporton për në hapësirë edhe satelitët tanë, ‘Albania 1’ dhe ‘Albania 2’. Nga sot Shqipëria ka më shumë aftësi të teknologjisë së lartë për të kontrolluar, mbrojtur e administruar territorin, duke siguruar në kohë reale të dhëna të rëndësishme në një sërë aspektesh kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm”, ka shkruar Rama, krahas videos.
Kujtojmë se më 20 tetor të vitit 2021, Rama kishte deklaruar se Shqipëria do të dërgonte dy satelitë në hapësirë.
Rama kishte thënë asokohe se dy satelitët do të shërbenin për çështje civile të vendit duke survejuar territorin e plotë të Shqipërisë.
Ndërsa marrëveshja mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Saterllogic USA Inc” është firmosur nga Rama më 29 shtator të vitit 2022.