Lëshohet fletarrestim për Muhamed Zekirin
Prokuroria Publike e Maqedonisë ka njoftuar sot se ka hapur hetim kundër sekretarit gjeneral të Qeverisë, Muhamed Zekiri dhe dy shtetasve të Kroacisë, për mashtrim prej 145 mijë eurove. Më saktë, hetimi është hapur për shkak dyshimeve se ka lidhur marrëveshje pa furnizim publik për shërbime konsultative.
Siç mëson “Fokus”, nga burime mirë të njoftuara, bëhet fjalë për një marrëveshje lidhur me Postat e Maqedonisë, respektivisht për përpunimin e fizibilitetit studimeve për privatizimin e postave.
Ky fizibilitet studimi ishte paralajmëruar nga Qeveria në fund të vitit 2020, e nevojshme për shitjen e Postave të Maqedonisë. Kështu duhej të vërtetohet nëse do të shkohet me privatizim apo me partneritet publiko privat.
“Qeveria e ka angazhuar zv.kryeministrin për çështje ekonomike, koordinim të investimeve dhe resoreve ekonomike, ministrin e ekonomisë dhe drejtorin e Postave Nacionale të iniciojnë përgatitjen e fizibilitetit dhe studimit për mundësitë për fillim të procedurës për përfshirjen e një kompanie me partneritet publiko privat ose me privatizim që të vazhdojë procesi i liberalizimit të shërbimeve postare në vend, në përputhje me rregulloren e BE-së”, thuhet në njoftimin e Qeverisë në vitin 2020.
Në njoftimin e Prokurorisë sot thuhet se buxheti është dëmtuar me 57,932,100 denarë. Pritet sot vendimi i Gjykatës Penale nëse do t’i shqiptojë Zekirit paraburgimin. Dy shtetasit kroat ndërkohë nuk janë të kapshëm për shtetin.