Lëshohet sërish urdhërarrest për Dardan Molliqajn

24 qershor 2022 | 12:23

Për shkak se Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD), ka munguar në seancën e së premtes, përsëri ka dështuar të nis gjykimi për rastin e përleshjes fizike mes tij, shoqëruesit të tij dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, pas një debati televizivë në 2019-ën. Ndaj Molliqajt gjykata ka lëshuar urdhërarrest.

Në këtë rast akuzohet edhe Fatos Sahiti, i cili ishte i pranishëm në sallë të gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Molliqaj, gjykatësja e rastit Vlora Pacolli-Rexhepi, ka bërë me dije se i njëjti është arrestuar në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga gjykata më 17 qershor të këtij viti.

Gjykatësja Pacolli-Rexhepi ka deklaruar se arrestimi i tij ishte bërë pas orarit të punës së gjykatës dhe ka thënë se nuk ka pasur kushte për mbajtjen e seancës.

Arsyeja e urdhërarrestit sipas gjykatës Pacolli-Rexhepi ka qenë adresa e pasaktë që i akuzuari Molliqaj e kishte lënë në shkresat e lëndës.

Më tutje, e njëjta ka deklaruar se gjykata në koordinim me të akuzuarin Molliqaj dhe pas premtimit të tij se i njëjti do të paraqitet në seancën e radhës ka revokuar urdhërarrestin.

Mirëpo, për arsye se i njëjti edhe pas pranimit të ftesës, revokimit të urdhërarrestit dhe pasi i njëjti kishte dhënë premtime do të paraqitet në seancë, gjykatësja Pacolli-Rexhepi ka thënë se për të njëjtin konform nenit 307 dhe 175 të Kodit të Procedurës Penal gjykata përsëri lëshon urdhërarrest të ri ndaj Molliqajt.

Meqenëse se i akuzuari Sahiti ishte në seancë, gjykatësja e rastit Pacolli-Rexhepi e ka njoftuar atë për arsyet të cilat gjykata ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij, sepse sipas saj në fletëkthesën e datës 29 prill 2022 është konstatuar se i akuzuari refuzon pranimin e ftesës.

E lidhur me këtë, i akuzuari Sahiti ka deklaruar se asnjëherë nga askush nuk është kontaktuar dhe se konstatimi i asaj fletëkthese sipas tij nuk është i saktë.

Ai ka thënë se për herë të parë është kontaktuar dje nga Policia e Kosovës për të pranuar ftesën e gjykatës.

Për këtë, gjykatësja Pacolli-Rexhepi, ka deklaruar se gjykata do ta verifikojë fletëdërgesën, e cila është zbatuar nga zyra postare, dhe e ka njoftuar të nëjtin për pasojat e mos paraqitjes në gjykatë.

Në këtë seancë, i pranishëm nuk ishte as i dëmtuari Haki Abazi për të cilin përfaqësuesja e tij avokatja Sadije Mjekiqi, ka deklaruar se i njëjti përsëri gjendet jashtë vendit në udhëtim zyrtar.

Me qenë se nuk u plotësuan kushtet për mbajtën e kësaj seance, e njëjta është shtyrë në kohë të pacaktuar.

E krejt në fund, gjykatësja Pacolli-Rexhepi, ka  deklaruar se sipas saj në bazë të procedurës së si ka rrjedh deri tash, janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit ndaj Molliqajt mirëpo i njëjti fillimisht duhet arrestohet, të sjellët në gjykatë e pastaj t’i caktohet paraburgimi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 18 shkurt 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të pandehurit Dardan Molliqaj dhe Fatos Sahiti akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.

Në aktakuzë thuhet se më 11 shtator 2019, rreth orës 22:00 në Fushë Kosovë, në Kolegjin “AAB”, të pandehurit e lartcekur pas përfundimit të debatit në emisionin “Presing” të studion së Televizionit “T7”, ku ishin të ftuar Endrit Shala, Rexhep Hoti, Haki Abazi, Dardan Molligaj dhe me të  dalë në korridor të Kolegjit “AAB”, i pandehuri Molliqaj fillimisht e ka thirr të dëmtuarin Haki “ndalu këtu të flasim çka deshte me thënë në debat”, i cili ishte para tyre në korridor duke dalë në shoqëri me Rexhep Hotin.

Më tutje, në aktakuzë thuhet se posa i afrohet i pandehuri Molliqaj me dashje, duke e përdorë forcën e sulmon të dëmtuarin Haki Abazi në atë mënyrë që fillimisht e ka kapur për duar e më pas e godet me grusht në fytyrë dhe shqelma ne këmbë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtij sulmit i bashkëngjitet edhe i pandehuri Sahiti, i cili e godet të dëmtuarin me grusht deri sa i dëmtuari arrin të ju largohet dhe të ikë me shpejtësi në drejtim të studios së Televizionit “T7”, dhe kështu i shqetësuar për rastin e thërret policinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, i…