Lëshohet urdhërarrest ndaj Ismet Osmanit “Currit”
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rivendosje ka revokuar dorëzaninë në vlerë prej 50 mijë euro ndaj Ismet Osmanit i njohur si “Curri”. Ndaj Osmanit u lëshua urdhërarrest, ndërsa shuma e ofruar në emër të dorëzanisë, do të kalojë në fondin për kompensimin e viktimave.
Rasti ka të bëjë me çështjen penale ku Ismet Osmani, bashkë me Sami Nikën, Ilir Bojkun dhe Mentor Maqanin akuzohen për kryerjen e veprës penale “Fajde” dhe “Detyrim”, ndërsa i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrim”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Osmani në një rast tjetër dyshohet për vrasje në tentativë të ndodhur në qytetin e Graçanicës, të të cilin rast të dyshuar janë edhe djali i tij Armir Osmani, Mentor Beqiri e Behar Halili. Për këtë, ndaj tij është lëshuar një urdhërarrest tjetër.
Themelorja, fillimisht kishte revokuar dorëzaninë dhe kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Osmanit, pasi që kishte munguar në seancën e 1 korrikut 2024.
Mirëpo, Apeli e kishte kthyer çështjen në rivendosje, me arsyetimin se aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të nenit 384, par.1 të KPPRK-së, ngase shkalla e parë duke vendosur lidhur me masën e paraburgimit ndaj Osmanit, nuk ka vepruar konform dispozitave ligjore në fuqi dhe nuk ka respektuar procedurat e parapara për caktimin e paraburgimit në raste të tilla. Sipas Apelit, nuk janë analizuar drejt dhe në hollësi raportet shëndetësore të të akuzuarit.
Në rivendosje, Themelorja në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i cili është marrë më 22 korrik 2024, ka sqaruar se Gjykata nuk ka pranuar asnjë kërkesë për shtyrje të seancës siç pretendohet nga mbrojtja në ankesë se Gjykatën e ka njoftuar me datën 19 qershor 2024 për gjendjen shëndetësore të Osmanit.
Gjithashtu, Themelorja duke u referuar në të gjeturat e Apelit për caktim të masës së paraburgimit në harmoni me dispozitat ligjore, në këtë çështje penale, tani (më 17 korrik 2024) ka lëshuar urdhërarrest ndaj Osmanit.
Kurse, lidhur me të gjeturat e Apelit se shkalla e parë nuk i ka analizuar drejt dhe në hollësi raportet mjekësore, thekson se nuk i kishte në posedim por që të njëjtat ishin bashkëngjitur nga mbrojtja në ankesën drejtuar në Apel. Andaj, vetëm pas kthimit të çështjes në rivendosje i ka në posedim raportet mjekësore të Osmanit, të cilat nuk janë në gjuhën zyrtare që autoritetet tona e përdorin.
“Për më tepër kësaj gjykate nuk i është prezantuar ndonjë Raport konkret mjekësor me te cilën vëretetohet se gjendja shëndetësore e tij, nuk lejon të marrë pjesë në shqyrtim gjyqësor apo se gjendet në pushim mjekësor”, thuhet në aktvendimin e Themelores.
Më tej, shkalla e parë thekson se Osmani ka qenë në dijeni për pasojat në rast të mosrespektimit të masës së dorëzanisë. Po ashtu, thuhet se i akuzuari ka qenë i njoftuar për detyrimin për ta njoftuar gjykatën në rast të ndryshimit të adresës.
Aty thuhet se Osmani nuk e ka njoftuar gjykatën se po merr trajtim jashtë vendit dhe se ku gjendet, me qëllim që të jetë i arritshëm për gjykatën.
Themelorja në vendim thotë se fletë-thirrja për seancën e 1 korrikut 2024 ishte dorëzuar më 14 maj 2024 përmes shërbimit të postës në adresën e dhënë nga i akuzuari, më shumë se 1 muaj e gjysmë para mbajtjes së seancës, por nga shërbimi postar rezulton se në atë adresë është tentuar t’i dorëzohet thirrja më 16 dhe 21 maj 2024, por pa sukses.
Pas kthimit të fletë-kthesës, gjykata më 27 maj ka lëshuar urdhëresë për Stacionin Policor në Graçanicë që Osmanit personalisht t’i dorëzohet ftesa për seancë. Mirëpo, nga ky stacion gjykata më 1 korrik në ora 10:40 është njoftuar se i njëjti gjendet në arrati për shkak të një vepre tjetër.
Sipas këtij vendimi, thuhet se gjykata pasi që ka marrë informatën nga zyrtarët policorë se Osmani gjendet në arrati, ka gjetur se pikërisht nga kjo gjykatë është aktiv një urdhërarrest ndaj tij i lëshuar më 16 maj 2024.
Lidhur me urdhërarrestin e lartpërmendur, sipas vendimit të gjykatës, mbrojtësi i Osmanit, avokati Besnik Berisha i është drejtuar Prokurorisë me kërkesë që të anulohen veprimet eventuale të ndërmarra ndaj Osmanit e të cilat mund ta pengojnë hyrjen e lirshme të tij në Kosovë, duke kërkuar dakordim për datën e intervistimit të tij.
“Duke mos qenë në dijeni për veprimet eventuale që keni ndërmarrë për sigurimin e prezencës së z.Osmani i cili pa fajin e tij, nuk ka pranuar as ftesë e as telefonatë për paraqitje në prokurori, por nën prozhmimin se mund të ketë ndonjë letërreshtim apo vënie në stop list të policisë, luteni që ti anuloni veprimet eventuale të ndërmarra të cilat mund të pengojnë hyrjen lirshëm në Republikën e Kosovës të z.Osmani dhe bashkërisht të dakordohemi për datën dhe kohën e intervistimi të tij”, citohet në vendimin e Themelores të ketë thënë Berisha për rastin tjetër për të cilin është në arrati Osmani.
Gjithashtu, Berisha sipas vendimit të Themelores, thuhet t’i ketë thënë Prokurorisë se pavarësisht gjendjes shëndetësore të Osmanit dhe nevojës për trajtim jashtë shtetit, i njëjti është i gatshëm në çdo kohë dhe sa herë të jetë e nevojshme të paraqitet para Prokurorisë.
“Nga vetë shkresat të cilat mbrojtja ia ka bashkangjitur ankesës (komunikimin me prokurorinë) vëretohet se i njëjti është në dijeni të kërkimit nga autoritetet e drejtësisë mirëpo e kushtëzon prokurorin me heqje të urdhërarrestit”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Themelores.
Po ashtu, gjykata ka sqaruar se nga vetë dokumentet që mbrojtja i ka deponuar në gjykatë përmes ankesës nga komunikimi përmes e-mailit me Prokurorinë, ku kjo e fundit ia kishte caktuar 28 majin për paraqitjet bashkë me të pandehurin në Prokurori, avokati Berisha si përgjigje i ka kërkuar prokurores së rastit që t’i drejtohet gjykatësit me kërkesë për tërheqje të urdhërarrestit që t’i mundësohet Osmani udhëtimi i papenguar.
Me këtë, Gjykata konstaton se nga përmbajtja e e-mailave kuptohet se i akuzuari qëndron në arrati dhe përmes mbrojtjes kërkon nga autoritetet e drejtësisë që së pari të tërheqin urdhërarrestin e pastaj do të paraqitet për të dhënë mbrojtjen. Sipas gjykatës, kjo siç shihet ka qenë arsyeja e mungesës së të akuzuarit në seancën e 1 korrikut 2024.
Mbi këto, thuhet se rezulon që nuk është problemi shëndetësor arsye për mosprezencën e Osmanit në gjykim, por tërheqja e urdhërarrestit për rastin tjetër ku Osmani është i dyshuar.
Për më tepër, gjykata ka thënë se edhe përderisa ishte duke e përpiluar këtë vendim, si gjykatë nuk dinë vendndodhjen e Osmanit për t’ia dërguar ftesën për seancën e radhës edhe përkundër obligimit që për çdo ndryshim të adresës duhet të njoftohet gjykata.