Letër Adem Jasharit dhe familjes së tij
Shkruan: Berat Dakaj
Më të shtrenjtët e më të çmueshmit tanë,
Atë natë kur ju shfaqën në televizion e kur dhanë lajmin e kobshëm për ju, pas rënies së lavdishme, unë isha vetëm 14 vjeç.
Pos për ty dhe Hamzën, Bacë Adem, ndieja dhimbje fort të madhe për bashkëmoshatarët e mi. Ndjesë paçin!
Ato ditë marsi dhimbja që mbollët në Prekaz po lindte në gjithë Kosovën hovshëm. Këdo që takonim, kudo, flisnin vetëm për ju. Ngushëllonim dhe ngushëlloheshim vetëm për ju nga kushdo që takonim.
Kur ratë ju në prag të shtëpisë, se s’kishit ku të shkonit më tutje, filluan të lindnin kryengritës të tjerë, se ajo farë e flijimit tuaj u trashëgua ndërkohë edhe nga të tjera familje në Kosovë.
Pra, u bënë fli pastaj, po për liri, edhe shumë familje të tjera shqiptare, myslimane dhe të krishtera, në gjithë hapësirën e Kosovës. Rënia e tyre i kishte rrënjët aty, në Prekaz.
U vranë dhe ranë në beteja lufte e në lëndina, me dhe pa armë e me dhe pa mbrojtje, të rinj dhe të vjetër, plaka dhe pleq, foshnja të lindura, me gji në gojë e të palindura ende.
S’u vranë sikurse u vranë disa prej jush. Të tjerëve u ndodhi edhe më keq. Keq e më keq. Zi e më zi. U zunë, u rrahën, u maltretuan, u gjymtuan, u dhunuan, pastaj u bënë sallatë me thika të mprehta, para syve të njëri-tjetrit.
Me një fjalë, përpos vdekjen, e panë me sy edhe rrjepjen për së gjalli: babi të djalit, nëna të vajzës, vëllai të vëllait, motra të motrës. Çfarë s’panë sytë e tyre e çfarë s’duruan mendjet dhe zemrat e të mbijetuarve deri sot.
Ndonjërit prej tyre, pas atyre përjetimeve, i ka krisur zemra, ndonjë tjetri truri deri tash. Ata që i kanë përjetuar këto ngjarje e që kanë mbetur gjallë, sot luten për një vdekje natyrore, se s’ka qetësi në kokën e tyre!
Gjithçka të keqe, të panjerëzishme, kundërnjërzore, poshtërore bënë fqinjët tanë serbë ndaj nesh, pa na shprehur keqardhje as sot, njëzet e dy vjet pas luftës.
Por, e di e gjithë bota mbarë, se liria e popullit shqiptar s’u pagua me dialog. U pagua me gjak njeriu. Me gjymtyrë trupi. Me mijëra trupa të vrarë, të masakruar e të djegur tërësisht. Me mijëra vdekje të tmerrshme. Me mijëra krime klasike dhe moderne. Me mijëra zhdukje jetë njerëzish.
Dëshmitarë, të lirisë së sotme, jeni ju. Çdo ditë që ne jetojmë sot, e jetojmë falë flijimit tuaj.
Por, ka që thonë se lirinë e sollën të huajt. Po, ata na ndihmuan të çlirohemi, padyshim. Na ndihmuan të mbesim gjallë, se serbët donin të na fiknin derën e shtëpisë e të popullit.
Mirënjohje dhe falënderime NATO-s, pa fund!
Për dallim nga këta që ndajnë merita për nisjen dhe bitisjen e saj, ka dhe të tjerë, Bacë Adem, që për këto sakrifica kaq të mëdha tuajat dhe të huajat s’i thonë dy fjalë të mira, se s’i njohin vlerat e luftës.
S’e kanë dhënë një pulë në luftë. Një gram gjak s’e kanë derdhur për atdhe dhe për liri. Një cent s’e kanë shpenzuar për të kontribuar për blerje të një arme a të një ilaçi. Një fjalë e thonë për luftën, për të rënët, për ju dhe atë e thonë të keqe.
Thonë se flijimi juaj ka qenë i kotë. Se ka qenë flijim i panevojshëm. Çfarë nuk thonë ata që ngjarje të luftës s’kanë përjetuar as në ëndrra. S’kanë parë as filma historikë, se tjetër mendim do të kishin e tjetër fjalë do të shprehnin për flijimin tuaj.
Pavarësisht kësaj çoroditjeje të mendjes dhe gjuhës së tyre, sado larg të shkojnë e sado keq të shprehen për luftën tuaj, për ta kuptuar çmimin e sotëm të demokracisë së Republikës së Kosovës, ata duhet të vijnë te kompleksi juaj përkujtimor në Prekaz, të shkojnë pastaj në Abri, Meje, Likoshan, Çirez, Reçak e kudo tjetër ku duar të serbëve kanë prerë shqiptarë e kudo ku ka një vend përkujtimor për të rënët e lirisë.
Unë, sot, në përvjetorin e 23-të të Epopesë së UÇK-së, me gjak po vulos këtë letër, dhe po jap fjalën e nderit se, po qe se përsëritet një histori e tillë, atë do ta përsëris me familjen time të vogël e të çmueshme.
Nëse s’përsëritet historia, përjetë do t’ju jemi mirënjohës për çlirimin e vendit dhe për çdo vit, në ditë marsi, qoftë borë, qoftë shi, çfarëdo qoftë moti, do të vij t’ju nderoj në Prekaz, të paktën dhjetë minuta t’ju rri pranë varreve, së bashku me familje, e së bashku me bijat e mia t’i recitojmë vargjet e Iliaz Bobajt shkruar për ju vite më parë:
Pranë njëri-tjetrit
rrimë të dyja palët.
Flasin të vdekurit.
Heshtin të gjallët.
Qoftë i përjetshëm dhe mbarëkombëtar kujtimi për ju!
Të fala familjes dhe të gjithë të rënëve për atdhe!
Pushoni të qetë në atë anë, njerëz të mirë!