Letër e hapur krerëve të shtetit: Veproni me urgjencë në mbrojtje të republikës!

20 mars 2024 | 11:14

Dr. Hajdin Abazi

Ju krerë të shtetit – Kryeministër, Kryekuvendari dhe Presidente, do ta keni dëgjuar atë thënien se historia nuk e gjykon askënd sipas asaj se çfarë vetë mendon një shtetar, por për veprat e bëra dhe të pabëra e që kanë mundur të bëhen për të mirë ose në mënyrë parandaluese. Ky ligj i pashkruar i historisë ka vepruar dhe vepron ndaj secilit shtetar, e pra do të veprojë edhe ndaj juve për të mirë e për të keq.

Ju i dini pikëpamjet e mia për juve, më saktë për sjelljet, veprimet e gabimet tuaja që unë i kam konsideruar të tilla dhe shpesh edhe kam shkruar, dhe asgjë nga ato që kam thënë nuk i ndryshoj, jo për shkak të kokëfortësisë, sepse nuk jam aspak i tillë –  se nuk ka njeri që i bindet argumentit dhe fakteve më shumë se sa unë, por sepse zhvillimet deri më tash flasin se ato ishin të bazuara. Por për këtë temë ka kohë herë tjetër të shkruaj, se tash po konsideroj se ka diçka më të madhe, shumë më të madhe, dhe për fat të keq edhe shumë më të dëmshme, që është duke u përgatitur që t’i ndodhë Kosovës.

Që kur ishte Escobar këtyre ditëve (13-14 mars), kam pritur se do të veproni në drejtimin e duhur, por me sa duket nuk e keni kuptuar në thellësi shqetësimin e tij (në fakt, të State Departamentit). Përderisa Presidentja po përpiqet të thotë diçka pa e artikuluar në tërësi e qartësisht, Kryeministri po sillet e deklarohet si edhe më parë thua se nuk di gjë për atë që po i përgatiten Kosovës, kurse Kryekuvendari shkoi edhe më larg – duke etiketuar si në shërbim të Serbisë Lajçak e të tjerë dhe e futi në këtë mes edhe Escobar, që, po qe se zbërthehet, domethënë se Bashkimi Evropian dhe SHBA veprojnë me agjenda të Serbisë.

Kjo duket tepër e pabesueshme, dhe më tepër ngjanë në teori konspiracioniste. Por, le të hamendësohet, për një çast të vetëm, se qenka ashtu sikurse tha Kryekuvendari. Atëherë, çfarë po bëni ju, si krerë të shtetit, për ta kthyer rrjedhën në favor të Kosovës? Qofsha gabim, dhe lutem njëmend ta kem gabim, por unë nuk po shoh se ka ndonjë veprim në drejtimin e duhur, përkundrazi – shoh veprime në kursin e njëjtë. Escobar për “Evropën e Lirë” (15 mars) deklaroi se nuk arrita ta bind Kryeministrin Kurti për çështjen e dinarit. Dhe i shtoi kësaj, me një sugjerim jashtëzakonisht të mprehtë dhe paralajmërues, që çështja e dinarit duhet të zgjidhet “para se të bëhet një çështje humanitare”, pasi që  janë shtresat e gjera të minoritetit si pensionistët, të sëmurët dhe studentët që cenohen – e theksoi Escobar. Krahas kësaj, Serbia ka ofruar shërbime bankare në kufi, për të rritur dramacitetin në sy të botës për gjendjen e rëndë të serbëve në Kosovë dhe se ajo po përpiqet t’u ndihmojë atyre kur askush nuk po e bën!

E pra, duhet të kujtoni se Kushtetuta nuk ju jep vetëm mandat për pushtet, për postet më të larta të shtetit, të Republikës, por ajo ju ngarkon edhe përgjegjësi në mbrojtje nga rreziqet e këtij shteti, të kësaj Republike. A jeni në krye të këtyre përgjegjësive? Unë e them, aspak me mëri sepse nuk ka mëri që më bën të mendoj në dëm të Kosovës vetëm pse ju jeni në pushtet, pra e them se deri më tash keni bërë të kundërtën. Dhe bëni mirë ta dëgjoni pikëpamjen e një njeriu që mendon e sheh ndryshe nga ju!

*

Për këtë që sapo thashë, do t’i shtrojë, në mënyrë të përmbledhur, argumentet që unë i shquaj, e që, për fat të keq, nuk nënkuptojnë asgjë të mirë.

Nga ardhja juaj në pushtet, si triumfatorë që për herë të parë në historinë e pasçlirimit të Kosovës, arritët t’i fitoni pak më shumë se 50%, një verdikt që ua dha populli. Kësaj here, nuk ka nevojë t’ua kujtojë premtimet me të cilat ju i përvetësuar zemrat shqiptare, sepse ato ua kanë thënë të tjerët e edhe unë u kam thënë. A nuk po e shihni se rrjedhat po çoni në drejtimin krejt ndryshe nga ç’po e thuani ju dhe nga ç’është e mirë për Republikën? Andej nga po e bëni të ecë Kosova, nuk është rruga e duhur, jo pa SHBA dhe Perëndimin.

Por më e keqja është se qasja juaj politike, nga mendësia e pushtetit me mbi 50% të votave dhe mandateve në Kuvend të Republikës, e bënë të pamundur rrëzimin tuaj nga pushteti edhe sikur komplet opozita të bëheshin bashke – ju bën të ndjeheni tepër të sigurt dhe të pacenuar nga shqiptarët. Dhe kjo është e vërtetë. Gabimet e juve, si krerë të shtetit, kanë të bëjnë me mosdëgjimin e mosveprimin e sipas udhëzimeve të SHBA e të Perëndimit.

*

Ajo që keni vepruar dhe po vazhdoni të veproni gabim, në gjykimin tim, shtrihen në dy drejtime: të jashtme dhe të brendshme.

Veprimet në politikën e jashtme duke filluar nga qëndrimi prolonguese ndaj gazit natyror që ishte projekt amerikan e deri te mosdëgjimi i hapur e publik ndaj sugjerimeve të SHBA, ju i keni çuar në degradim të vazhdueshëm raportet e Kosovës, në radhë të parë, me partnerin tonë kryesor – SHBA, e pastaj edhe me BE dhe edhe me NATO-n, e madje edhe me vendet fqinje. (Nëse keni ditur ta lexoni dhe ta kuptoni, këtë e tha me dëshpërim emisari i SHBA Escobar). Dhe problem i dorës së parë që ngjallte brengë ishte çështja e sigurisë, për çka SHBA-BE-NATO po bëjnë çmos për ta parandaluar një konflikt të armatosur në Ballkanin Perëndimor për çka ka nxitje nga Rusia, dhe ku ishin pritjet që Kosova të luante rolin e saj, të ishte në shërbim të kësaj strategjie.

Veprimet e brendshme, këtu do të fokusohem vetëm në ato që lidhen më minoritetin serb, janë karakterizuar me gabime krejt irracionale e që i kanë rënë, dhe ka rrezik edhe më t’i bien, në kurriz Kosovës. Dikur ju thoshit se do të dialogoni me serbët lokalë – këtë nuk e bëtë. Askush para jush nuk ia ka arritur kësaj, e as ju, për shkak të interferimit të Serbisë në krye të së cilës është kryeshovinisti Vuçiq. Qasja juaj, për dallim nga qasja politike e mëhershme që ishte e ngadalshme por e kujdesshme në raport me minoritetin serb, u bë gjithnjë me veprime të befasishme, ani se në parim gjithnjë ishin çështje të drejta. Edhe pse të tilla, kur ato procedohen me mungesë taktike, japin frute të hidhura, domethënë rezultate të kundërta. A nuk e kuptonit vallë se veprimet ndaj minoritetit serb, janë çështje tepër sensitive, pikërisht sepse janë çështje të minoritetit dhe se duhet vepruar me maturi, përgatitje të shumta e konsultime të ngjeshura paraprake me SHBA? Krahas kësaj, veprimet ndaj minoritetit serb kishin të bënin me çështjen tjetër të ndjeshme – atë të sigurisë, pasi që Evropa ndodhet në një kohë luftë të Rusisë ndaj Ukrainës dhe të rrezikut të përhapjes edhe nga Serbia ndaj Kosovës, Malit të Zi e të Maqedonisë së Veriut pa harruar Bosnjë-Hercegovinën? A nuk mësuat se veprimet e njëanshme (në kuptimin pa bashkërendim paraprak me SHBA? Serbia i shfrytëzon mjeshtërisht për të shtrembëruar të vërtetën në sy të botës Perëndimore? Ajo u nxit në veprim terrorist dhe agresioni për çka Escobar tha se Serbisë nuk i kërkojnë hetime, po llogaridhënie. Beogradi nuk do të veprojë më njëlloj – dhe po e shohim se po i mban nën kontroll minoritarët serbë duke mos i nxitë për veprime të dhunshme. Tash ka strategji e taktika të tjera, për të cilat do të flas në vazhdim.

*

Duke filluar nga çështja e stikersave, e tabelave të veturave e deri tash të çështja e dinarit, ishin veprime, gjithsesi në frymë të Kushtetutës, por me takt të gabuar politik, dhe në shumicën e rasteve pa konsultime dhe bashkërendim paraprak me SHBA sidomos, por edhe me NATO (KFOR-in) dhe BE-në. Këto i kanë theksuar këto vende, dhe po këto i tha në takimin e këtyre ditëve emisari Escobar në Prishtinë. Madje, ndërkohë sa ai ishte në vizitë në Kosovë e rajon, u ndërmor veprimi për ndryshimin e tabelave të rrugëve në vendbanimet serbe, gjë që e bëri të reagojë edhe Escobar e edhe komisioneri evropian për minoritetet!

Duke u bërë pa konsultime paraprake me SHBA, këto veprime ndaj minoritetit serb po perceptohen si të qëllimshme dhe të dëmshme për të. SHBA u mundua të ushtronte ndikimin e vet duke ju futur në një kurs që do ta mbronte Kosovën në mënyrë afatgjate, por ju u treguat vazhdimisht refuzues, dhe këtë e bëtë ne emër të sovranitetit! Por sovraniteti nuk mund të ruhet vetëm duke u thirr në një Kushtetutë, sidomos jo në kushtet e një rreziku të jashtëm për luftë dhe që mund të shfrytëzohej, ashtu sikurse u shfrytëzua e po shfrytëzohet shumë, nga gjeopolitika ruso-serbe. Madje, sikur të mos ishte NATO (KFOR-i) në Kosovë, sovraniteti rrezik të kthehej në të kundërtën e vet – dhe duket se ju keni llogaritur në praninë e NATO-s dhe pamundësinë e Serbisë. Serbia, veproi më 24 shtator me tentim-agresioni, gabim të cilin ju nuk ditët ta kapitalizoni aspak dhe ta bëni kthesën për bashkërendim me SHBA!

Nga sa i gjykoj unë rrethanat, Serbia ka mësuar nga gabimet e veta dhe nuk do t’i përsëris më ato. Shovinizmi serb është aq dinak, por edhe i zhdërvjelltë sa të bëj veprime tepër të sofistikuara që të tërheqin vëmendjen e botës në favor të tyre dhe në të keq të Kosovës, e kjo në një rrethanë kur SHBA, BE dhe NATO, e do të mjaftonte të thuhet vetëm SHBA, janë në raportet të ftohura ndaj Kosovës, gjë që praqet një klimë të pafavorshme për Kosovën dhe të favorshme për Serbinë!

Rrethanat ndërkombëtare janë të pafavorshme për Kosovën, jo vetëm nga vendet që janë armike dhe nga ato vende që nuk na kanë njohur për arsyet e tyre, por, çka është edhe më ë keqja, edhe nga vendet perëndimore që kanë qenë sponsorizues të Pavarësisë sonë. Edhe më parë, gjithsesi, kishte ndonjë veprim të gabuar e që binte ndesh – por shpejt korrektohej e rikthehej gjendja pa u bërë e madhe dhe publike, vetëm se nga ardhja e juaj më 2021 në pushtet më shumë jeni acaruar më vendet mike e sponsorizuesit e Pavarësisë se sa jeni koordinuar me ta, gjë që, si rrjedhojë, ka ardhur deri të veprimi absurd: Kosovës t’i vihen sanksione! Të gjitha gjasat ishin që Serbisë t’i viheshin sanksione, dhe do të duhej t’i viheshin asaj, por nga veprimet jashtë sugjerimeve dhe kërkesave të SHBA, BE e të NATO – gishti iu drejtua Kosovës, dhe iu vendosën sanksionet. Ndoshta menduat të arrinit diçka të mirë, por ju doli keq. Dhe e kam thënë disa herë e po e përsëris: asgjë e mirë nuk i vjen Kosovës kur nuk bashkërendohet me SHBA, e sidomos kur veprohet në të kundërtën e udhëzimeve që vijnë nga SHBA!

*

Ku është rreziku që është aktual dhe që po i kanoset aktualisht Kosovës? Deputeti dhe veprimtari shumëdekadësh i lëvizjes kombëtare Xhavit Haliti tha se ka informacione se po përgatitet që pas zgjedhjeve lokale në veri të shpallet Asociacioni. Mbase nga gjendja në terren kjo mund të dihet, por unë në të njëjtin përfundim kam arritur duke e analizuar deklaratën e Vuçiqit.

Vuçiqi tha shumë, e në të njëjtën kohë u mundua ta maskojë mesazhin e vet. Por nga një lexim i vëmendshëm, mund të nxirret kuptimi dhe çfarë ai tha. “Nuk është problem, doni të jeni me ata, nuk do të na keni neve, doni të jeni me ta dhe t’u ndihmoni atyre, do të mbijetojmë, por jemi mjaft të mësuar dhe shumë përvoja kemi fituar pas gjithë atyre që na keni bërë në 25 vitet e fundit, për ta pritur momentin më të mirë të mundshëm dhe të luftojmë për rastin tonë. (…) Nuk kemi pse t’ia fshehim askujt. Do të jemi gjithmonë të hapur për partneritet, bisedime, dialog, por duhet ta kuptoni mirë – i keni bërë shumë të këqija popullit serb të gjithë ju së bashku” (…) Pastaj, lansoi gënjeshtrën: “Banjska ndodhi sepse po i vrisnin njerëzit tanë në Kosovë” (Gazeta Express, 19.03.2024, ora: 14:13).

Ndaj kësaj deklarate reagoi emisari Escobar nga Mali i Zi, duke thënë se vetëm një shtet (Serbia) po bën kërcënime në drejtim të Kosovës, duke e konsideruar si “ndikim malinj rus”.

Përgjithësisht, duket se është kapur vetëm theksi kryesor i deklaratës së Vuçiqit, se “jemi duke pritur rastin më të mirë të mundshëm dhe të luftojmë për rastin tonë”. Kjo edhe është e vërtetë, porse edhe shumë çka tjetër ekspozon, në mënyrë të kamufluar, deklarata e tij.

*

Çka në të vërtetë, tha Vuçiq, mund të kuptohet po qe se dekonstruktohet shprehja metaforike dhe e kamufluar si dhe aspekti propagandistik.

Nga një lexim i vëmendshëm, shquhen këto mesazhe:

1) jemi mjaft të mësuar dhe shumë përvoja kemi fituar pas gjithë atyre që na keni bërë në 25 vitet e fundit,

2) jemi duke pritur momentin më të mirë të mundshëm dhe të luftojmë për rastin tonë,

3) do të jemi gjithmonë të hapur për partneritet, bisedime, dialog,

4) e keni bërë shumë të këqija popullit serb të gjithë ju së bashku.

Këto janë të ndërlidhura, kanë kohezion dhe ngërthejnë një strategji dhe taktika paralajmëruese.

Mesazhi i parë ndërtohet mbi akuza (gjithë atyre që na keni bërë në 25 vitet e fundit), që ua rikujton ato që Perëndimi “ua ka bërë serbëve”. Nuk thotë se e ndëshkuat politikën shoviniste, por popullin serb, për ta bërë akuza më e fuqishme ndaj Perëndimit. Ani se dihet që Perëndimi veproi për ta ndëshkuar politikën gjenocidale dhe të dëbimit biblik dhe shfarosës të Milosheviçit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Por ky është vetëm preteksti, nuk është thelbi (ani se në një kontekst, ai kthehet në thelb më pas). Pastaj vjen mesazhi kryesor: jemi mjaft të mësuar dhe shumë përvoja kemi fituar! Për çfarë është e mësuar Serbia nën udhëheqjen shoviniste? Çfarë përvoje kanë grumbulluar? Sigurisht, që kjo ngërthen shumëçka, por unë mendoj se themelore është kjo: kemi mësuar nga ju dhe kemi marrë përvojë nga ju, që të veprojmë si ju!

Dhe kjo lidhet me mesazhin e dytë: për ta pritur momentin më të mirë të mundshëm dhe të luftojmë për rastin tonë. Pra, qartazi, nuk do të bëhen veprime të ngutshme por do ta presin (mund të lexohet edhe: do ta krijojmë) momentin më të mirë të mundshëm. Për çfarë? Të luftojnë për rastin e tyre. Edhe kjo ka shumë kuptime, por unë e zbërthej kështu: për serbët e Kosovës (qoftë si pretekst, si veprim konkret, e nëse zhvillimet shkojnë në drejtimin e strategjisë ruse: edhe të një luftë të vërtetë). Fjala luftë, duhet kuptuar, pra në dy dimensione: si luftë me mjete politike, por, në një rast të volitshëm, edhe si luftë ushtarake.

Se nuk është në radhë të parë lufta ushtarake që po përgatitet Serbia, e tregon mesazhi i tretë: Do të jemi gjithmonë të hapur për partneritet, bisedime, dialog. Kjo domethënë, se pas veprimit të parë, do të jenë të gatshëm për dialog. Një dialog, për ta çuar përpara agjendën shoviniste në kontekstin e minoritetit serb.

Dhe mesazhi i fundit, sërish ia kujton Perëndimit se: i keni bërë shumë të këqija popullit serb të gjithë ju së bashku! Pra, komplet Prerëndimi!

*

Nëse sado pak kam të drejtë në këtë dekonstruktim të mesazheve shumëkuptimshme që i përçoi Vuçiq, unë shquaj një skenar pak a shumë të këtillë (unë e shoh edhe më të rrezikshëm në detaje, por po përmbahem vetëm të aspekti më të përgjithshëm):

Politika shoviniste në krye me Vuçiq, pasi sheh se politikisht Kosova është acaruar edhe me vendet që e kanë sponsorizuar pavarësinë dhe shtetbërjen dhe imazhi i Kosovës te Perëndimi ka rënë në pikën më të ulët deri më tash, e sheh si momentum që të veprojë. Te veprojë, por më mësimet dhe përvojën e arritur. Domethënë: serbët e Kosovës do të organizohen, pas zgjedhjeve lokale, që priten të shpallen së shpejti, dhe pasi të njihet zyrtarisht rezultati i tyre e pastaj do ta shpallin (të paktën) Asociacionin. Pushtetarët e rinj komunalë do të kenë legjitimitetin e votës qytetare , dhe do të jetë një akt, në përputhje me ato që po kërkojnë vendet e Perëndimit nga Kosova.

Analogjia është e qartë. Njëanshëm e shpallin Asociacionin serbët. Meqë ju Perëndimi nuk arritët as pas 11 vitesh t’i bindin shqiptarët për Asociacion, do të thonë ata, të zgjedhurit e shpallën atë. Tash, si i keni përkrahur shqiptarët, përkrahni edhe serbët!

Kështu Perëndimi do të përballet me vlerat dhe qëndrimet e veta. Ashtu sikurse është krijuar klima nga veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës me SHBA e BE e me NATO, e tha ambasadori amerikan Hovenier dhe emisari Escobar se ndalimi i dinarit po merr konotacion humanitar – gjë që Serbia po e shfrytëzon dinakërisht.

Po ndalem me kaq, ani se, kushdo që ka ndjekur konvergjimet e gjeopolitikës serbe me atë ruse, e ka të qartë që Beogradi ka strategji për përshkallëzim të mëtejshëm, me pasoja tepër të rrezikshme për shtetin e Kosovës dhe mbase edhe më gjerë, dhe këtë edhe e theksojnë emisarët e SHBA, Britanisë së Madhe e të Gjermanisë.

*

Mendoj se nga kjo, sa e kuptova dhe si e kuptova unë nga zbërthimi i asaj që deklaroi Vuçiq, rrjedhë një apel që duhet drejtuar krerëve të shtetit, ndaj dhe e titullova si letër të hapur këtë shkrim.

Paraprakisht dua t’ua kujtoj atë thënien e mirënjohur për veprimin politik se dje ishte herët, nesër është vonë, sot – pikërisht sot duhet vepruar. Kjo thënie i shkon situatës së krijuar dhe rreziqeve para të cilave ndodhet Kosova, kryesisht nga strategjia ruso-serbe, por edhe nga veprimet tuaja në kundërshtim me sugjerimet amerikane që ishte dhe është gabimi më i madh i mundshëm politik.

Në konceptin tim, ardhja në pushtet me mbi 50% të votave, do të duhej t’u bënte juve të shihni përtej kufijve të ngushtë ideologjik dhe përtej posteve tuaja e përtej pushtetit tuaj. Nuk po e shoh këtë ta bëni, prandaj po ju drejtohem me këtë apel:

– Kryeministër Kurti, rreziku po dihet dhe skenari analog po shihet. Posti i kryeekzekutivit të Republikës të ngarkon me bërë çmos për të shmang një të keqe të tillë! Nuk të arsyeton fakti se shovinistët po veprojnë, pasi që shtrohet pyetja ti çka po bën për ta parandaluar dhe për ta çuar rrjedhën në kahen e kundërt, pra në të mirë të Kosovës! Ti je Kryeministër i vendit, dhe i ke mbi 30 këshilltarë dhe duhet të dish se ç’hapa të bësh për mos të lejuar dëmtimin e Republikës!

– Kryekuvendar Konjufca, në vend që të zbulosh armiq, do të ishte mirë të dalësh me opsione veprimi me shpejtësi, për t’i dhënë kahun rrjedhave në të mirë të Kosovës, që të evitohet rreziku që po i kanoset Republikës!

– Presidente Osmani, ti bile, si pro SHBA, a po i sheh kahet e zhvillimeve? Nuk mjaftojnë vetëm fjalët, tash duhen edhe veprime, madje tepër të prera. Çdo gjë që mund të dëmtohet Republika nën mandatin tënd, të adresohet edhe ty po aq. Duhet të dish të veprosh për të ndaluar një të keqe që po vjen si uragan!

Kushtetuta ju obligon te veproni në mënyrë parandaluese dhe të mbroni Republikën!

Ruajtja e Republikës është çështje kombëtare!

Duhet të veproni shpejt, sepse historia nuk do t’ua falë!

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova është renditur e 29-ta në listën e vendeve më…