Letër kryetarit tim, Kadri Veseli

30 dhjetor 2018 | 09:12

Ismail Syla

TRE ARMIQTË E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

I nderuar kryetar,

Përtej dy përgjegjësive tuaja institucionale, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, këtë fund viti po të drejtohem me një letër publike. 

Para dhjetë viteve me një letër imagjinare iu drejtova një mësimdhënësi gjysmë imagjinar, gjysmë real me titull “Tre armiqtë e kravatës”. Njëri nga armiqtë e kravatës metaforike, përpos baltës dhe varfërisë ishte edhe pushteti serb i periudhës së para luftës. 

Periudha e fundit ka përfunduar fizikisht, administrativisht dhe politikisht në qershor 1999. Por, pasojat e sundimit të gjatë dhe robërisë serbe nuk fshihen me një datë kalendarike.

Në akademinë përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të masakrës së Abrisë, mbajtur në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” Ju, kryetar Veseli dhe  publikut, iu mbeta borxh që nuk e zhvillova një ide deri në fund. Natyrisht, koha e kufizuar dhe përbërja e publikut e bëjnë të veten. 

Sekretarja amerikane e shtetit Madaleine Albright, që nga revista amerikane “Time” u shpall personalitet i vitit 1999, u identifikua si gruaja e fuqishme e botës, që me NATO mposhti Serbinë e Milosheviqit. Në një bisedë, një gazetar interesohet se si ndjehet ajo si grua trupshkurtër, në një përgjegjësi aq të lartë. Ajo i thotë se kudo që shkon, pranë saj ka fuqinë e tri shkronjave: USA, United States of America.  

Cili është institucioni, cila është organizata, cilat shkronja janë akronimi me domethënien më kapitale që ka prodhuar historia e Kosovës? 

Në mendjen time krye akronimet që sublimojnë historinë çlirimtare të Kosovës janë tri shkronjat UÇK, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. 

Nuk ka treshkronjësh tjetër që shkon mbi këtë përbërje, as LDK, as PDK, as AAK as LVV, as, as, as… 

Por, shtrohet pyetja, kush janë tre armiqtë themelorë të UÇK-së, e jo të NN mësimdhënësi gjysmë real, e gjysmë imagjinar?

1. Serbia

Nga letra e para dhjetë viteve vetëm një element përsëritet në pyetjen e mësipërme: Serbia. 

Është krejt e natyrshme që në top listën e armiqve të UÇK-së të jenë gjithë ato segmente administrative, politike, shtetërore të Serbisë që kanë qenë të lidhura me shtypjen dhe sundimin e Kosovës. 

E kam thënë edhe më parë, se Serbia pushtuese mund ta falë kokën e secilit, por kurrë të atyre, që kanë goditur dy shtyllat e saj në Kosovë: ushtrinë dhe policinë serbe. 

Pushkën e Adem Jasharit, Zahir Pajazitit dhe kujtdo tjetër, që ka trandur rehatinë e policisë dhe ushtrisë serbe, nuk i falë asnjëherë këtu e njëmijë vjet aparati shtetëror i Serbisë, pavarësisht ndryshimit të regjimeve. 

Ai aparat nuk falë kurrë, por në çdo kohë lanson, riciklon, fabrikon dhe konstrukton gjithçka mund të konstruktohet dhe shpifet kundër atyre që ideuan, organizuan dhe e bënë të suksesshëm projektin kapital të organizatës politike dhe ushtarake, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. 

Produktet e shërbimeve serbe, mjerisht sot janë material që shfrytëzohen në mënyrë sistematike, që rifreskohen periodikisht nga shërbimet serbe. 

Fatkeqësia është që ato produkte janë të mirëseardhura dhe vihen në përdorim nga armiku themelor numër dy i UÇK-së.

2. Post Serbia

I nderuar kryetar,

Është pikëpamje imja krejt personale se kënd e konsideroj armikun numër dy të UÇK-së. Koha e gjatë e sundimit të Kosovës nga administrata serbe nuk ka mundur të bëhet pa gjetur mbështetje edhe tek kategori të caktuara shoqërore brenda shoqërisë kosovare. 

Pa shkuar në vitet e shumë e shumë të errëta të kohëve para antishqiptarit të tërbuar Aleksandar Rankoviq, vetëm gjysmëshekulli i mijëvjeçarit që shkoi mjafton për të treguar se sistemi politik jugosllav (LKJ-ja, LSPP-ja etj. dhe shërbimet tjera të tyre) nuk fshihet dhe zhvendoset lehtësisht nga psikologjia, shpirti dhe mentaliteti i atyre që kanë ngrënë për së afërmi bukën e ish sistemit. 

Është një kategori sociale dhe politike e Kosovës, së cilës iu ka tronditur sistemi, mirëqenia dhe kanë dalë përtej bashkëjetesës sllave socialiste. Përmbysja e pozicionit të tyre është humbje e privilegjeve nën robëri, dhe kjo humbje e pozicionit edhe pse pozitive, si liri dhe çlirim nga Serbia i tërësisë së shoqërisë sonë, është një pengesë eklipsuese për ta. 

Kjo kategori nuk ia fal UÇK-së rolin çlirimtar dhe ardhjen e saj në skenën politike dhe publike. Për ta UÇK-ja është ana e ashpër, brutale e lirisë së Kosovës. Nostalgjia për robërinë është më joshëse se çdo element heroik i UÇK-së. 

Si pasojë e kësaj të fundit, sot, krerët, liderët dhe  ish- komandantët e UÇK-së luftohen nga shtypi, propaganda, portalet me aq egërsi dhe brutalitet siç luftohej dje çdo gjë çlirimtare nga shtypi, televizioni dhe propaganda serbe e Beogradit. 

Lufta kundër liderëve të UÇK-së sot është program i armikut numër dy. Janë harruar krimet serbe, kriminelët dhe segmentet e shërbimit sekret serb në Kosovë. Sot, sipas tyre, kriminelët më të mëdhenj dhe armiqtë më të mëdhenj të Kosovës janë komandantët e gjallë të UÇK-së dhe personalitetet kyçe të shtetit, që vijnë nga sfondi i luftës çlirimtare të UÇK-së. 

Sipas këtij mentaliteti, presidenti i Kosovës, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri i Kosovës duhet vullnetarisht të shkojnë vetë në burg, dhe t’i kërkojnë falje kësaj kategorie që janë pjesë e jetës politike dhe publike. 

Mjerisht, në këtë jaz po dërgojnë ujë disa elementë brenda ish UÇK-së, që nuk shohin përtej hundës së vetë, armiqtë numër tre të UÇK-së.

3. Vetvetja

Zoti, kryetar,

Është për keqardhje që Ushtria Çlirimtare e Kosovës një goditje e merr  nga brenda. Goditjet e para dhe të dyta kur kombinohen nga goditja e brendshme e vështirësojnë edhe më shumë pozitën e krerëve, liderëve dhe ish komandantëve të UÇK-së. Ja një paradoks që nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë:

Paramendojini dy bashkëluftëtarë të rangut të njëjtë, të vendosur deri në vdekje për idealin e tyre, çlirimin e Kosovës. Të dy, në ofensivat e shtatorit 1998 detyrohen të strehohen në kodra me shkurre, të rrethuar nga forcat serbe. Shpinë për shpine, me armët personale, të gatshëm t’ia ruajnë njëri tjetrit shpinën. Ushqehen me frute të kaçave e kokrra të murrizave. Fati e do që të mbesin gjallë. 

Dhe çfarë ndodh? 

Ata që qenë të gatshëm të vdesin për njëri tjetrin dhe pranë njëri tjetrit, sot janë armiqtë më të mëdhenj të njëri tjetrit.

Paramendojeni  se urrejtja kundër njëri tjetrit bën të harrohet profili i armiqve të natyrshëm të UÇK-së. 

Dhe paramendojeni paradoksin më të madh, ata rreth njëri tjetrit afrojnë dhe bëjnë miq njerëz nga kategoria e dytë e “armiqve” të UÇK-së. 

O zot, a ka çast më të mirë dhe më të artë për kundërshtarët organikë të UÇK-së. 

Z. kryetar,

Jam krenar që jetoj në epokën kur tri institucionet kryesore të Kosovës drejtohen nga profile të larta, që ka prodhuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. 

Unë kam besuar, besoj dhe do të besoj gjithnjë në fytyrën humane dhe çlirimtare të UÇK-së. Ajo është kryevepra politike dhe ushtarake e Kosovës. 

Tërë luftën dhe rezistencën e saj UÇK-ja e zhvilloi brenda Kosovës, duke mbrojtur vatrën dhe popullin e saj. Dymijë dëshmorë e heronj derdhën gjakun e tyre brenda Kosovës.

Kam besuar dhe besoj në fytyrën humane të demokracisë së Kosovës. Në vendin me mbikëqyrjen dhe prezencën më të madhe ndërkombëtare ju sot jeni kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, partisë me vetëdije shtet-formuese numër një në Kosovë. 

Jeni për herë të dytë kryetar i Kuvendit të Kosovës. Jeni në krye të këtij institucioni në kohën kur po rrumbullakohen të gjitha segmentet e shtetit të Kosovës. 

Rrumbullakimi i plotë i shtetësisë së Kosovës sot po gjen përkrahje të plotë nga Uashingtoni. Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi janë vargshtete ku po çimentohet përfundimisht sfera e ndikimit amerikan. Në çimentimin e këtij ndikimi padyshim që hyn trashëgimia juaj politike. 

Sot, kur dëgjoj zërat e oponentëve tuaj politikë, që të vetmën shpresë të ardhjes së tyre në pushtet e shohin arrestimin tënd, të komandantëve të gjallë dhe të figurave tjera të larta të UÇK-së, më vijnë dy gjëra interesante në mendje, fabula e dhelprës që shkon pas dashit në zheg dhe një thënia e publicistit dhe analistit anglez, Jamess Pettifer, që e gjeta në fletoret e shënimeve të mia pafund:

“Një ndër sukseset më të mëdha të UÇK-së është jo vetëm aftësia për ta ruajtur organizatën nga shërbimet sekrete policore dhe ushtarake serbe, por edhe ngadhënjimi i shërbimit sekret të saj mbi UDB-në dhe KOS-in, i drejtuar nga një djalosh i talentuar, Kadri Veseli, shok i ngushtë i Hashim Thaçit. (James Pettifer, Ekspresi i Kosovës, Prishtinë, 2004, f.43.).

Z. kryetar,

Duke pasur parasysh tërë trashëgiminë tuaj politike dhe kontributin e dhënë vazhdimisht në të mirë të vendit tënd, letrën e përmbyll me një përfytyrim metaforik të Kosovës dhe lokomotivës gjermane. 

Thuhet se lokomotiva dhe vagonët kur vihen në shinat e hekurudhës gjermane nuk dridhen as lakohen. 

Ju dhe brezi yt Kosovën e vutë në binarët e duhur.

Gëzuar viti 2019!

(Në këtë letër shpreh pikëpamjen time personale, si anëtar i Këshilli Drejtues të PDK-së)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë telefonat e mençur janë pjesë thuajse e pandashme e…