Letër lamtumirëse nga kryetari i Federatës së Auto Sporteve të Kosovës, Ismet Rexhepi
Kryetari i Federatës së Auto Sporteve të Kosovës (FASK), Ismet Rexhepi pas 12-vjetësh në krye të saj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme.
Letra e plotë e dorëheqjes së Ismet Rexhepit:
Të nderuar bashkëpunëtorë, garues dhe dashamirës të automobilizmit,
Fillimi i këtij viti shënon përfundimin e mandatit tim si Kryetar i Federatës së Auto Sporteve të Kosovës (FASK), dhe njëkohësisht përmbylljen e kontributit tim në drejtimin e kësaj Federate, të cilën e njoha nga afër rreth 12 vite më parë.
Me këtë rast, ju drejtohem të gjithëve në këtë letër lamtumire, duke ju ftuar që së bashku të hedhim vështrimin pas në më shumë se një dekadë bashkëpunimi, gjatë së cilës kjo Federatë solli ngjarje të rëndësishme që shënuan një kthesë vendimtare për të ardhmen e këtij sporti në Republikën e Kosovës.
Në këto vite, klubet automobilistike, zyrtarët, garuesit dhe vullnetarët, së bashku me mua dhe bashkëpunëtorët e mi më të afërt, e shndërruam rrënjësisht këtë botë sportive, e cila tashmë ka krijuar një traditë të fuqishme dhe një pjesëmarrje masive brenda një komuniteti të gjerë entuziastësh.
Këto ngjarje na prekën të gjithëve, duke na bërë të kuptojmë më mirë potencialin për të sjellë ndryshime pozitive, si për komunitetin, ashtu edhe për vendin. Prandaj, arritjet e Federatës përgjatë këtyre 12 viteve i konsideroj disa prej momenteve më krenare në karrierën time – një rrugëtim shpesh vetëmohues, por që ia vlejti në çdo hap, sepse çdo sfidë e tejkaluar hodhi një gur themeli të ri për të ardhmen e auto sportit në Kosovë.
Po të kthehem në vjeshtën e vitit 2013, kur u bëra pjesë e kësaj Federate, ky institucion përballej me sfida ekzistenciale financiare dhe me një mungesë të aktiviteteve të rregullta sportive. Për më tepër, FASK nuk ishte ende anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), një hap që dukej tepër i largët për shumëkënd brenda komunitetit. Sado që ekzistonte vullnet për aktivitete sportive, mungonin njohuritë, përkrahja financiare dhe, mbi të gjitha, guximi për të marrë mbi vete misionin e afirmimit ndërkombëtar të kësaj Federate — veçanërisht duke pasur parasysh pengesat politike që asokohe i shkaktoheshin shtetit tonë të ri.
Këto ishin barrierat kryesore me të cilat përballej në vazhdimësi komuniteti i auto sportit, gjë që ishte lehtë e kuptueshme nga çdo bisedë me themeluesit dhe kontributdhënësit 12 vite më parë.
Megjithatë, po aq e dukshme sa vështirësitë, ishte edhe dashuria e madhe e këtij komuniteti për automobilizmin, një sport që për shumë prej tyre nënkuptonte vetë jetën. Makinat dhe shpejtësia ishin ëndrra e tyre, ndërsa garat — habitati që u mundësonte të shfaqnin pasionin dhe përkushtimin ndaj një sporti shumë kërkues.
Për këtë arsye, vetëm disa muaj më vonë, vendosa që, së bashku me bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë, të krijonim kontaktet e para me instancat më të larta ndërkombëtare të automobilizmit, me qëllimin përfundimtar: anëtarësimin e FASK-ut në FIA.
Kështu, jo vetëm që Kosova do të shënohej në hartën botërore të auto sporteve, por edhe ky komunitet do të merrte më në fund respektin dhe dinjitetin e merituar.
Gjatë vitit 2014, punuam intensivisht, si në përmirësimin e cilësisë së organizimit të garave vendore dhe në vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me shumë institucione shtetërore (që vazhdojnë edhe sot), ashtu edhe në plotësimin e kushteve për anëtarësimin e Kosovës në FIA.
Paralelisht, lobuam për kapërcimin e pengesave të ndryshme, me të cilat përballen të gjitha federatat e anëtarësuara ndërkombëtarisht që veprojnë në Kosovë. Kjo përpjekje intensive dhe shpeshherë e vështirë dha fryt në fund të vitit 2015, kur në Asamblenë Gjenerale në Paris, Kosova u shpall anëtarja më e re e familjes së Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit.
Ky ishte një moment historik për sportin kosovar, një pikë kthese që, përveç afirmimit të shumëpritur nga pasionantët e sportit, solli edhe një listë të gjatë detyrash e përgjegjësish, të cilat vazhdojnë edhe sot.
Një vit më vonë, në vitin 2016, gjatë takimit të radhës së FIA-s, Kosova fitoi anëtarësinë me të drejta të plota, çka na hapi rrugën për të punuar drejtpërdrejt, si në rritjen e kapaciteteve infrastrukturore e njerëzore, ashtu edhe në përmirësimin e cilësisë së organizimit të aktiviteteve dhe të hyrave financiare. Këto përparësi na mundësuan përmbushjen e synimeve të reja, që dolën natyrshëm pas anëtarësimit ndërkombëtar, e një prej tyre ishte organizimi i një gare ndërkombëtare në vend.
Vetëm pak muaj pasi ishim nikoqirë të një mbledhjeje të suksesshme të FIA CEZ (Zona e Evropës Qendrore), në shtator të vitit 2017, FASK organizoi garën e parë ndërkombëtare në historinë e automobilizmit kosovar, duke regjistruar shtegun “Kulla” në kalendarin botëror të garave. Ky shteg malor, i njohur për terrenin e tij sfidues, priti, ashtu siç bën edhe sot, garues nga i gjithë rajoni CEZ.
Po aq emocionuese ishte pjesëmarrja e parë e garuesve tanë në gara ndërkombëtare në disiplina të ndryshme, që u mundësoi vajzave dhe djemve tanë të përfaqësonin me krenari simbolet e shtetit të Kosovës.
Këto gara ndërkombëtare, që sot shihen si ngjarje të zakonshme, ishin atëbotë fillimi i një epoke të re, të pakthyeshme, për të cilën jam shumë krenar.
Pasi përmbyllëm një objektiv, dikur të pabesueshëm për shumëkënd — anëtarësimin e Kosovës në instancat më të larta ndërkombëtare sportive — komuniteti sportiv brenda vendit hyri në një fazë të re zhvillimi. Me të parë punën e madhe që po bëhej, u çel edhe një kapitull i ri komunikimi me dashamirësit e sportit, të cilët, të frymëzuar nga mundësitë që po krijoheshin me shpejtësi për ta shndërruar pasionin e tyre në realitet, paraqitën kërkesa të reja për ngjarje dhe disiplina të larmishme brenda auto sportit.
Kështu, që në vitin 2015, në ditët e nxehta të gushtit, FASK dhe Eurogoma Racing Team organizuan për herë të parë garën DRAG, e cila shumë shpejt u kthye në atraksionin kryesor sportiv të çdo vere.
Qindra pjesëmarrës nga vendi dhe rajoni, të bashkuar nga pasioni për shpejtësinë, u ndeshën atë verë në pistën e vjetër të aeroportit, në një disiplinë prej 402 metrash.
Pikërisht kjo pistë, e cila sot është sinonim i përkushtimit tonë në FASK, në vitet që pasuan priti rreth 30 evente të kësaj disipline, të cilat iu shtuan mbi 220 aktiviteteve sportive që klubet tona organizuan deri në fund të vitit 2024.
Ky numër kaq i madh i aktiviteteve sportive, i shtrirë në disiplina të ndryshme, si Malore, Sllallom (të përgjithshëm, për burra, për gra, me vetura elektrike), Karting, Drag, Drift, Off Road, madje në dy vitet e fundit edhe E-Sports, është vula e suksesit më të madh që komuniteti i auto sportit ka realizuar në gjithë ekzistencën e tij. Sot kemi krijuar një sistem të mirë të organizimit dhe menaxhimit të garave, që e bën më të lehtë secilin proces sportiv, gjë që ka kërkuar një angazhim të madh, në mënyrë që të kapërcenim sfidat, të cilat jo rrallëherë ishin shkaktuar nga një mungesë besimi në vizionin tonë.
Sot, kur kthej kokën pas dhe i numëroj të gjitha këto suksese, një pjesë e imja i kupton dhe bashkëndien me të gjithë ata që, në vitet e para të punës sonë, panë angazhimin me dyshime. Vizioni ynë ishte më i madh se ne. Shumë më i madh. Andaj, sot kuptoj pse për shumëkënd kjo dukej e pamundur, dhe jam i lumtur që puna jonë vërtetoi se edhe ëndrrat më të çmendura realizohen me një plan të qartë dhe punë të pandalshme.
Për këtë arsye, e shoh të udhës që, në këtë letër lamtumire, përveç rishikimit të këtyre sukseseve që transformuan këtë komunitet, të rikujtoj bashkëpunëtorët që do të vijnë më pas në punët që duhet vazhduar për t’i shërbyer garuesve dhe dashamirësve të sportit, në kërkesat dhe qëllimet e reja që do të vijnë.
Federata e Auto Sporteve të Kosovës duhet të vazhdojë me ritmin e krijuar të organizimit të garave, duke punuar edhe më shumë në rritjen e cilësisë së përgatitjes së tyre, në mbështetjen aktive të klubeve — sidomos në organizimin e trajnimeve të nevojshme në bashkëpunim me FIA, si për zyrtarë, ashtu edhe për kategori të tjera pjesëmarrëse në gara sportive.
Gjithashtu, në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe përkrahësit financiarë të jashtëm, duhet të vazhdohet puna intensive në krijimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e automobilizmit, sidomos në ngritjen e pistave rrethore, të kartingut dhe të dragut.
Klubet, pa të cilat aktivitetet sportive nuk mund të vinin në jetë, pavarësisht punës sonë të drejtpërdrejtë këto 12 vite, i ftoj të vazhdojnë me të njëjtin ritëm në planifikimin dhe mbajtjen e garave në qytetet që ata përfaqësojnë, duke inkurajuar bashkëpunimin e afërt me institucionet shtetërore dhe sigurimin e sponsorëve financiarë — punë kjo e lehtësuar nga ligji mbi sponzorizimin, tash e disa vite. Gjithashtu, është e nevojshme që secili klub të rrisë kapacitetet njerëzore të nevojshme në organizimin e garave, sidomos me kujdestarët dhe vullnetarët brenda komunitetit të cilit i takojnë.
Garuesve, për të cilët FASK organizoi mbi 200 aktivitete në 12 vitet e fundit, ju uroj një angazhim të vazhdueshëm në disiplinat ku marrin pjesë, duke i inkurajuar të rrisin kërkesat e tyre te klubet e veta, dhe kështu të nxisin ngritjen e kushteve dhe cilësisë, konform nevojave të tyre.
Tani, për ta mbyllur këtë letër, më lejoni, të nderuara Zonja dhe Zotërinj, t’ju falënderoj përzemërsisht që fillimisht më ftuat brenda komunitetit tuaj dhe besuat në vizionin tim për të rritur dhe zhvilluar Federatën e Auto Sporteve të Kosovës, e cila sot është ndër adresat më të mëdha të aktiviteteve automobilistike në rajon.
Kontributi im nuk do të ishte i mundur nëse brenda jush nuk do të ekzistonte një dashuri kaq e madhe për këtë sport, si dhe një besim në guximin dhe aftësinë time për të arritur qëllimet, sado të vështira për t’u imagjinuar për shumëkënd një dekadë më parë.
Këtë sukses ia dedikoj juve, dhe këtë institucion — dikur të panjohur, por tani shumë të dashur — po jua lë në duar, të shndërruar në një instancë që garanton dinjitetin tuaj dhe të sportit që ju identifikon.
I falënderoj përzemërsisht të gjitha institucionet shtetërore me të cilat kemi bashkëpunuar këto vite, duke përfshirë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe atë të Infrastrukturës, Policinë e Kosovës, Kuvendet Komunale, komunat në të cilat organizuam garat, si dhe bashkëpunëtorët e mi të afërt, të cilët në çdo kohë na qëndruan pranë në secilin aktivitet sportiv.
Nga sot, po bëj një hap prapa, duke shpresuar që kjo lamtumirë të jetë vetëm një pit-stop në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt shtigjeve të reja të zhvillimit të auto sportit.
Garat do të vazhdojnë, sfidat do të shumëfishohen dhe kërkesat e reja do të na shoqërojnë në çdo kthesë.
Por mos harroni se forca më e madhe e këtij komuniteti ka qenë dhe do të mbetet gjithnjë bashkëpunimi, pasioni dhe guximi për të provuar atë që dikur dukej e paarritshme.
Dhe mesazhi im i fundit për ju është pikërisht ky: punoni së bashku dhe mos hiqni dorë, edhe kur rruga duket e vështirë. Guxoni të ëndërroni dhe mos u përkulni përballë asnjë pengese, sepse fitorja më e shtrenjtë është ajo që lind nga ëndrrat më të guximshme.
Me nderimet më të sinqerta,
I juaji,
Ismet Rexhepi